zoom

Aktualitet

Përplasja në kuvend/ 8 faktet që Belinda Balluku nuk i përgënjeshtroi dot për Portin e Durrësit

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk arriti sot t’u japë përgjigje disa pyetjeve thelbësore për projektin e Portit të Durrësit. E thirrur në interpelancë nga deputeti i Durrësit, Ferdinand Xhaferraj (PD), ajo nuk diti të shpjegojë se përse projekti u dha pa garë, përse shmangu konkurencën apo përse iu dha një kompanie offshore të cilës nuk i dihen pronarët.

Deputeti e vuri ministren përballë disa fakteve, “sepse në fakt porti i Durrësit nuk është një projekt strategjik, por një aferë korruptive strategjike”.

Faktet

Fakti 1 ka të bëjë me hartimin e ligjit në mënyrë të posaçme që të shmanget konkurrenca.

– Ligji 145, datë 3 Dhjetor 2020 parashikon marrëveshjen me Emiratet Arabe. Në nenin 6  të marrëveshjes, i cili merret në mënyrë eksplicite me Portin e Durresit, citohet se kjo marrëveshje nuk i nënshtrohet asnjë procedure prokurimi publik duke shmangur qartazi dhe haptazi konkurencën.

Fakti 2 ka të bëjë sërish me konkurrencën, që në këtë rast shkel Marreveshjen e Stabilizim Asocimit të lidhur me Bashkimin Europian.

“Vetëm interesa të mëdha korruptive mund të shtyjnë një qeveri përfituese nga mbeshtetja europiane të kundërshtojë hapur një marrëveshje me BE-në”, tha deputeti.

Fakti 3, sipas Xhaferrajt, është kalimi i 81 hektarëve tokë publike tek një grup njerëzish të panjohur.

“Me VKM, Nr. 861, datë 29.12.2021 ka vendosur të transferojë 81 hektarë pronë publike. Për llogari të kujt”, pyeti deputeti, teksa tha se i vetmi investim në 1 vit është një zyrë shitjesh e kompanisë offshore.

“Në hyrje të portit të Durrësit prej disa javësh është vendosur zyra e shitjes së “Symphony Group of Comopanies”, kompania offshore për të cilën shërbeu si mburojë grupi EMAAR. Një tabelë “Durrës Yacht Marina” është prej muajsh i vetmi investim i bërë në zonën e portit. Çmimi i tregut, më të cilin shitet toka në këtë zonë, është rreth 2000 euro metri katror. Nëse i bëjmë llogaritë, projekti shtrihet në rreth 800 0000 metra katrorë tokë, vlera e së cilës është rreth 1.6 miliardë euro”, tha Xhaferraj.

Ai paralajmëroi dërgimin e çështjes në SPAK.

Fakti 4, thotë deputeti, ka të bëjë me marrjen e godinës që po shërbën sot si zyrë shitjesh për kompaninë offshore. “Janë 25 zyra të mëparshme të administratës se portit dhe 1500 meter katror parkim që u kthyen në “sales center”. Mbi çfarë dispozite apo urdheri u morën?”, pyeti ai.

Fakti 5 – qëndron tek vlera e investimit. Ja çfarë tha Xhafferaj.

“Nga konsultimi me ekperte të detarisë më rezulton se investimi për portet e jahteve të përmasave të ngjashme është mesatarisht 50 deri në 60 milion euro. Edhe historia e investimeve ne rajon dhe ne vend e mbeshtet kete fakt. Ju kujtoj se dy vite me pare në datën 7 Tetor 2019  keni miratuar një koncesion për: Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Praslin Investment” sh.p.k. dhe “R&T” sh.p.k sipas partneritetit publik privat të portit të jahteve “Marina Rodon”, propozim i kërkuar me vlerë investimi prej 883,461,666 Lekë, pa TVSH. Nëqoftese keni ndonje kunder argument se ky port eshte I nje permase me te vogel se ai I Durresit, ju them se nje qeveri me institucione te pergjegjshme si ajo ne Kroaci, ne fillim te ketij viti, ka filluar ndertimin e nje porti jahtesh ne Rjeka ne bashkepunim me nje kompani prestigjoze Gjermane. Ky investim e ka vleren 50 milion euro.”

 

Fakti i 6 – ka të bëjë me Planin e Përgjithshëm Vendor i miratuar me vendimin 1 date 15 Prill 2021. Sipas tij, njësite strukturore janë 93 përqind banim dhe 7 përqind sherbime. “Pra, edhe një dëshmi se shumë se nuk kemi të bëjmë me një projekt turistik në shërbim të qytetit, por me një aferë korruptive në llogari të kompanive offshore”, tha kërkuesi i interpelancës.

Fakti i 7, sipas Xhaferrajt, dëshmon se që në gjenezë kjo është një aferë e pastër korruptive është vetë tenderi për spostimin e hidrovorit të Durrësit në Porto Romano për llogari të portit që do spostohet atje.

Fakti i 8, thotë deputeti, ka të bëjë më atë se “mazhoranca është e gatshme të rrezikojë edhe marrdhënien me aleatët strategjikë, siç është NATO, pasi e konsideron Durrësin si port strategjik.

E gjendur përballë këtyre fakteve, ministrja Balluku e shndërroi debatin në çështje personale. Ajo i tha deputetit Xhaferraj se kishte një vëlla sekser ndërtimesh, duke aluduar se interpelanca e tij kishte të bënte pikërisht me interesa të ngushta familjare.

Por përpara kësaj, ministrja pranoi publikisht se kompania që po ndërton Portin e Durrësit nuk është EMAAR, por një kompani offshore në pronësi të ish -presidentit të EMAAR, Muhamet Alabbar.

“Investimi siç e kemi thënë dhe e kemi përsëritur vjen nga kompania “Symphony” e cila është pronë e zotit Alabbar.”

Balluku nuk tha asgjë për faktin se përse nuk u hap një garë ku të merrnin pjesë kompani europiane, amerikane apo qoftë edhe shqiptare.

Ajo, më shumë se për projetin e jahteve, foli për pallatet dhe hotelet luksoze që do të ndërtohen mbi tokë shtetërore.

Ajo pranoi se përpara portit, do të ndërtohen pallatet, duke pranuar denoncimet e Xhaferrajt se qëllimi kryesor ishte po te shitja e apartamenteve.

Balluku: “Bëhet fjalë për një projekt i cili përfshin 79 hektarë nga porti i Durrësit, ku në fazën e parë do të shtrihet në sipërfaqen e 24.23 hektarë.

Projekti do të përbëhet nga mbi 12,000 Banesa Rezidenciale, 5 Hotele me gjithsej 850 dhoma.

80,000 m2 park dhe hapësira të hapura,

700 metra plazh të gjatë,

280 poste për parkimin e anijeve, të cilat diferencojnë nga anije jahtesh të mëdha dhe tek ato të vogla.

Edhe në pjesën e peshkimit Balluku foli për bare e restorante dhe jo për portin.

“Në atë zonë është parashikuar që të ketë ngritjen e një strukture të përgjithshme e cila do të ofrojë shërbime, siç janë restorantet, aktivitete argëtuese për fëmijë apo edhe argëtuese për të rritur. Faza e parë parashikon ngritjen e 4000 apartamenteve”, pranoi Ministrja.

Po porti i jahteve kur do të nisë të ndërtohet? Dhe përse kompanisë nuk i është kërkuar që fillimisht të ndërtojë portin e më pas apartamentet? A janë pallatet qëllimi kryesor i kompanisë fantazmë dhe a është kjo provë se ajo ka ngritur menjëherë një zyrë shitjesh dhe nuk ka asgjë për portin e jahteve? Ministrja nuk iu përgjigj as këtyre pyetjeve, duke lënë pas më shumë dyshime sesa projekti kishte përpara kësaj interpelance. /Zoom.al