zoom

In Zoom

Pikëpyetjet që ngrihen mbi portin e Durrësit. Asnjë garanci se nuk dështon si Beogradi

Edhe pse i trumpetuar prej kohësh si një prej projekteve më spektakolare në vend, hije të mëdha dyshimi mbulojnë ende sot Portin e Durrësit.

Teksa një ditë më parë kryeministri Rama risolli në vëmendje projektin në fjalë, duke e reklamuar për të disatën herë në rrjetet sociale, pikëpyetjet rreth tij janë të shumta.

Në foto: Postimi i djeshëm i kryeministrit

Në foto: Postimi i djeshëm i kryeministrit

Në një kohë kur brenda muajit pritet që të nisë shitja e apartamenteve të Projektit Durrës Yacht & Marina, askush nuk di se çfarë realisht ka firmosur kryeministri në kontratën që ai e cilëson historike. Ashtu siç nuk dihet se çfarë do të përfitojë shteti dhe çfarë kompania offshore e regjistuar në emër të shtetasit arab, Muhamet Alabbar.

Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe parashikon transformimin e portit të Durrësit në zonë turistike të dedikuar për pasagjerët dhe jahtet– kështu do të prezantohej projekti i Durrësit, në një kohë kur faktet flasin ndryshe.

Vetëm 5 % e ndërtimit janë shërbime sipas planit të detajuar vendor të Bashkisë së Durrësit. Thënë shkoqur, vetëm 5% janë hotele e lokale, që mund të jenë në dobi të turizmit, pjesa tjetër janë pallate banimi.

Parë kështu, më shumë sesa një mundësi zhvillimi dhe shndërrimi për Durrësin, projekti i jep lehtësisht Muhamet Alabbar-it, 800 mijë metër katror tokë shtetërore për të ndërtuar pallate e për t’i shitur për vete.

Për një investim të tillë, rreth të cilit flitet shumë, por dihet pak, do të ishte këmbëngulja dhe hetimi mediatik, që do të nxirrnin në pah detaje të shumta.

Në foto: Mohamed Alabbar

Në foto: Mohamed Alabbar

Zoom.al do të ndiqte nëpërmjet institucioneve publike, ecurinë e marrëveshjes për transforminin e portit të Durrësit, ku 24 marsin e këtij viti, përmes një artikulli ekskluziv do të njoftohej ndryshimi i projektit.

“Plani është reduktuar në vetëm ndërtimin e disa pallateve brenda hapsirës së portit. Asgjë më shumë. Nuk do të ketë asnjë ngjashmëri me portin Al Rashid të ndërtuar nga EMAAR Group, që mban 500 jahte e varka turistike”, njoftoi muaj më parë Zoom.al.

Një ndër arsyet kryesore të rrudhjes së projektit të madh, konsistonte në problemet e Mohamedit të EMAAR Group. Nga disa burime të besueshme u tha asokohe për redaksinë tonë se edhe pasuria personale e Mohamed El Alabbar ishte tkurrur bashkë me ëndrrën e portit turistik.

Por sa e sigurt është kjo kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe?

Një shkrim i “Forbes”, botuar edhe nga Zoom.al do të tregonte se si Alabbar la përgjysmë në mes të Beogradit një projekt disa herë më ambicioz se ky i Durrësit.

“Mohamed Alabbar, skemë e ngjashme për Portin e Durrësit si projekti i dështuar në Beograd?”– është artikulli që ju ofrohet nga ne në shqip, ku tregohet se si u premtuan 4 miliardë dollarë investime, por u bënë vetëm 160 milionë.

Ky fakt i shton dyshimet se në Shqipëri mund të veprohet njësoj. Do të shiten apartamentet dhe fill pasi të ketë marrë paratë e pallateve ende të pandërtuara firma mund t’ia mbathë. Dhe ky nuk është skenar pjellë e fantazisë, për aq kohë sa një histori e tillë ka ndodhur.

Një javë më parë, Ilir Meta do t’i bënte thirrje popullit për të mos blerë në asnjë mënyrë apartamente në projektin e Portit të Durrësit, duke thënë se e gjitha është një firmë piramidale.

“Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave. Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë! U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve,”- deklaroi ai.

Më herët, Zoom.al do të raportonte se si kryeministri Rama zhvilloi edhe diskutime me biznesmenin arab për Portin e Durrësit, pasi ky i fundit nuk dëshironte që ta bënte portin turistik, por të fuste shtetin aksioner, me qëllim marrjen e tokës së portit falas për të ndërtuar pallate.

Edhe pse kaq shumë pikëpyetje qeveria hesht.

Prill, 2021

Prill, 2021- Rama duke prezantuar projektin

Ajo e nisi me gënjeshtra projektin kur la të kuptohet qëllimisht se porti do të ndërtohej nga EMAAR Group.

Zoom.al zbuloi se EMAAR nuk ishte pjesë e projektit dhe se Muhamet Alabbar kishte ardhur për llogari personale për të bërë biznes me qeverinë shqiptare.

Pas një kërkese të redaksisë sonë, Ministria e Infrastrukturës u detyrua ta pranojë se EMMAR nuk kishte asnjë lidhje edhe pse Alabbar ishte prezantuar vetë nga kryeministri Rama dhe ministrja Balluku si president i EMAAR.

Qeveria u fsheh pas një memorandumi rutinë për bashkëpunim me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili nuk kishte asnjë lidhje me portin e Durrësit.

Disa media të tjera zbuluan se Alabbar vinte në Shqipëri për të ndërtuar Portin me një kompani offshore, pa asnjë eksperiencë në projekte të ngjashme.

Por edhe pse kompania ishte krejtësisht e re, qeveria shqiptare ia dha portin pa garë. Asnjë kompani tjetër ndërkombëtare apo vendase nuk u ftua të merrte pjesë.

Në media u fol edhe për kundërshti të aleatëve, por përballë milionave që mund të fitohen nga Durrësi, Edi Rama u hodhi atyre idenë e ndërtimit të një baze detare në Porto Romano.

Ilustrim 3D i projektit

Teksa NATO po e shqyrton propozimin, i cili duket më shumë si përpjekje për të shuar zhurmën mbi projektin e dyshimtë të portit të Durrësit, Symphonia e Alabbar, e regjistruar në offshore ka ngritur zyrën e shitjes së apartamenteve dhe pritet të nisë shitjen e tyre brenda shtatorit.

Ata që do të prenotojnë aty pallate do të kërkojnë me siguri garanci. Po shteti çfarë garancish ka marrë nga Alabbar se nuk do ta shndërrojë projektin në një thelë siç bëri me Beogradin, ku ka ndërtuar vetëm disa pallate të rëndomta?

A do të mund t’i përdorë Alabbar paratë e apartamenteve që mund të shesë, t’i transferojë ato në llogari të tjera, pa e ndërtuar portin e Jahteve?

Çfarë përfiton shteti nga falja e 800 mijë metra katrorëve tokë? Media Investigative Ina Media raportonte se vetëm vlera e tokës është afro 1.8 miliardë euro, gati aq sa investimi që premton të bëjë Alabbar dhe se 1.3 miliardë është vlera e kalatës së ndërtuar, e cila investitorit nga Emiratet i jepet falas.

Përballë këtyre fakteve qeveria hesht. Tani është e faktuar që ajo e ka alergji transparencën, veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte ku qytetarët shqiptarë do të duhet të paguajnë nga xhepi i tyre, si në rastin e portit të Durrësit, që duket se është menduar të ndërtohet me paratë e pallateve që mund të blejnë qytetarët.

Nëse pallatet nuk shiten? Shihni çfarë ndodhi në Beograd.

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.