zoom

Politikë

Skandali me portin e Durrësit, Balluku pranon largimin e kompanisë së Alabbar-it

Ditën e sotme, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku pranoi largimin e kompanisë së investitorit Mohamed Alabbar nga projekti i ndërtimit të portit të Durrësit duke i shitur aksionet te një kompani offshore, një lajm ky i bërë me dije nga Zoom.al   që në korrik të vitit të shkuar.

Ministrja Balluku është shprehur se nesër do të ketë një interpelancë kërkuar nga deputeti Ferdinand Xhaferraj, ku edhe do japë informacionet e nevojshme.

“E para, kompania statusin e investitorit e ka marrë nga AIDA dhe pyetjen duhet ta merrni nga kjo kompani. Por nesër ka një seancë të kërkuar nga deputeti Xhaferi. Fantazmë apo jo është diçka që e thotë opozita. Duhet të thelloheni në dokumente. Lëvizjet mes kompanive janë normale për sa kohë ato kanë akte ligjore. Besoj se do merrni përgjigjet”, tha Balluku.

Zyrtarisht, qeveria paraqiti si zhvillues dhe financues të projektit, themeluesin e grupit arab Emaar, Muhamed Alabbar. Por me sa duket, Alabbar vendosi që të vijë në Shqipëri, jo përmes grupit Emaar, por me kompani offshore nga ishujt Kejmen.

Së fundi është zbuluar se edhe kompania offshore e Alabbar i ka shitur aksionet te një tjetër kompani fantazmë, e regjistruar në offshore.

Mbetet e paqartë se kush qëndron pas kësaj kompanie, ndërsa ish -kryeministri Berisha ka hedhur dyshimet se përfitues aty janë kryeministri Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Po ashtu, i paqartë mbetet edhe fakti se si qeveria ka vendosur t’ia besojë projektin prej 2 miliardë dollarësh dhe t’i japë mbi 800 mijë metër katrorë tokë shtetërore një kompanie fantazmë, pronarët e së cilës nuk njihen dhe as nuk mund të zbulohen. /Zoom.al