zoom

Politikë

Meta i shkoi poshtë shtëpisë, Berisha: Luftëtar i lirisë, qëndrestar i pamposhtur

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur presidentin e PL-së, Ilir Meta, i cili pas Konventës mbajti fjalim poshtë ballkonit të liderit demokrat.

Berisha quajti Metën dhe anëtarët e tjerë të Partisë së Lirisë luftëtarë të lirisë dhe qëndrestarë të pamposhtur.

Ndërsa uroi Ilir Metën për zgjedhjen si president i PL-së në atë që e konsideroi si Konventën e betejës fitimtare.

Sali Berisha: Mirëmbrëma, përshëndetjet më të zjarrta luftëtarëve të lirisë, qëndrestarëve të pamposhtur. Urimet më të përzemërta presidentit të Partisë së Lirisë, anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të saj për konventën historike, konventën e kthesës, konventën e betejës fitimtare.

Një përshëndetje të përzemërt zonjës së nderuar, atdhetares së flaktë, intelektuales, bashkëpunëtores të ngushtë të presidentit Rugova, zonjës Edita Tahiri. Një nderim të madh, të veçantë heroit të vërtetë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, Ylli Bodinakut, vepra e të cilit është sot më frymëzuese se kurrë.

Miqtë e mi, Ylli Bodinaku është ai qëndrestar, ai qytetar, ai shqiptar që vendosi në emër të lirisë të niset drejt vdekjes, nën moton o sot o kurrë dhe theu në Tiranë, Murin e Berlinit.

Ylli Bodinaku kur ndërmori aktin e tij nuk kishte mbrapa një parti, kishte idealet e tij dhe kauzën e drejtë për të cilën ai vendosi të sakrifikojë dhe jetën pa marrë parasysh asgjë sepse i tha vetes, ose i lirë dhe me dinjitet, ose i vdekur. Kështu nuk durohet.