zoom

Aktualitet

8.1 ton drogë nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK çon në gjyq 15 të akuzuar! Mes tyre Erion Alibej, Ramazan Rraja e Plaurent Dervishaj

8.1 ton drogë nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK çon në gjyq 15 të akuzuar! Mes tyre Erion Alibej, Ramazan Rraja e Plaurent Dervishaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 15 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.

Për gjykim janë dërguar Artur Hoxhosmani, Klevis Hoxhosmani, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil), Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj, Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani.

Sipas SPAK, grupi ka vepruar gjatë viteve 2020-2021 dhe dyshohet se ka trafikuar në total 8.1 tonë lëndë narkotike, konkretisht 7261 kilogramë kokainë, 590 kilogramë hashash dhe 275 kilogramë kanabis sativa.

Nga hetimet rezulton, sipas Prokurorisë së Posaçme, se droga transportohej nga Brazili, Ekuadori, Kolumbia, Spanja dhe Maroku drejt vendeve evropiane, përfshirë Italinë, Belgjikën, Holandën, Spanjën dhe shtete të tjera.

SPAK deklaron se në krye të organizatës kriminale qëndronin Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku, Nazmi Shahini, Devid Patrut, Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej, të cilët akuzohen për drejtimin dhe financimin e aktivitetit të paligjshëm, si edhe trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë, Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani akuzohen si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal dhe për përfshirje në episode të ndryshme të trafikut apo shitjes së lëndëve narkotike.

Sipas SPAK, anëtarët e grupit kanë komunikuar edhe përmes platformës së enkriptuar SkyECC, ndërsa të dhënat e siguruara nga kjo platformë janë administruar në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet franceze të drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu pushimin e hetimeve për tre persona. Për një episod që i atribuohej Devid Patrut është zbatuar parimi “ne bis in idem”, pasi ai ishte dënuar më herët nga autoritetet belge për të njëjtin fakt penal. Ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin është konkluduar se nuk u provua kryerja e veprës penale ose fakti penal nuk ekzistonte.

Postime të lidhura