zoom

Lajme

6 milionë dollarë për heqjen e “non gratës” së Berishës/ Biznesmeni Nuredin Seci thyen heshtjen

6 milionë dollarë për heqjen e “non gratës” së Berishës/ Biznesmeni Nuredin Seci thyen heshtjen

Nuredin Seci, biznesmeni që garanton pagesën prej 6 milionë dollarësh për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike për heqjen e “non gratës” ndaj Sali Berishës ka bërë reagimin e parë pas zhvillimeve në Shqipëri.

Ai tha se ndodhet me pushime dhe për momentin nuk mund të komentojë.

“Faleminderit për interesimin, por aktualisht jam me pushime me familjen dhe nuk kam mundësi të flas. Për lobimin flet kontrata dhe është nën vëzhgim nga Departamenti i Shtetit. Besoj se gjithçka do të jetë transparente. Faleminderit për mirëkuptimin,”- u shpreh ai për emisionin “Shqipëria Live”.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur verifikimet mbi këtë marrëveshje, e cila përfshin Secin, kompaninë lobuese amerikane “Continental Strategy LLC”, të drejtuar nga ish-këshilltari i Donald Trump, Carlos Trujillo, dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në rolin e përfituesit të shërbimeve.

Kontrata e nënshkruar më 4 prill parashikon një tarifë mujore prej 250 mijë dollarësh për 24 muaj, duke e çuar totalin në 6 milionë dollarë. Pagesa do të kryhet nga një fondacion i përfaqësuar nga Seci, ndërsa PD-ja nuk ka asnjë detyrim financiar.

Partia Demokratike njoftoi zyrtarisht se të gjitha kostot do të mbulohen nga fondacioni “Make Albania Great Again”, i themeluar nga komuniteti shqiptaro-amerikan. “PD nuk ka barrë financiare apo detyrime kontraktuale në këtë marrëveshje”, u shprehën përfaqësuesit e saj.

Kjo është kontrata e dytë që PD firmos me kompani dhe individë të afërt me ish-presidentin amerikan Trump, pas angazhimit të Chris Lacivita disa muaj më parë.

Sipas kontratës, “Continental Strategy” do të mbështesë PD-në në krijimin e marrëdhënieve me institucione qeveritare dhe ligjvënëse amerikane, duke promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

Firma me bazë në Washington DC ka lidhje të forta me administratën e ish-presidentit Trump dhe ka njohuri të thella në fushën e marrëdhënieve me qeverinë dhe avokimit të interesave politike./ Zoom.al

Postime të lidhura