zoom

Lajme

PD, kontratë 6 milionë dollarë për lobim në SHBA: E financuar nga diaspora shqiptare

PD, kontratë 6 milionë dollarë për lobim në SHBA: E financuar nga diaspora shqiptare

Partia Demokratike e Shqipërisë ka nisur një fushatë të re lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes kompanisë prestigjioze Continental Strategy LLC, e drejtuar nga ish-Ambasadori i SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Carlos Trujillo. Kjo fushatë është realizuar me mbështetjen financiare të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe pa asnjë barrë financiare për partinë.

Në një njoftim për shtyp të shpërndarë së në mbrëmje, PD sqaron se lobimi është organizuar nga “Fondacioni Shqiptaro Amerikan, i drejtuar nga Nuredin Saraci, dhe i themeluar nga bashkatdhetarë shqiptarë në SHBA që mbështesin forcimin e demokracisë dhe rikthimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Sipas PD-së, mërgata shqiptare është angazhuar financiarisht për të mbështetur opozitën në përpjekjet e saj për të ndërtuar marrëdhënie të forta me Kongresin dhe administratën amerikane, në një moment kritik për fatin politik të vendit.

Detajet e kontratës: 250,000 dollarë në muaj për 24 muaj

Sipas dokumenteve zyrtare të regjistruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë (FARA), marrëveshja midis Continental Strategy LLC dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë është nënshkruar më 16 prill 2025, dhe parashikon:
• Një pagesë mujore prej 250,000 dollarësh, që për 24 muaj arrin në një total prej 6 milionë dollarësh.
• Pagesa e tre muajve të parë është bërë përpara nënshkrimit të kontratës.
• Shërbimet e ofruara përfshijnë lobim politik, konsulencë për strategjitë e komunikimit, angazhim me vendimmarrës në Kongresin Amerikan dhe administratën federale, dhe ndihmë për projekte të reformave demokratike dhe kundër korrupsionit .
• Kosto shtesë do të mbulohen për shpenzime të udhëtimit, akomodimit, dhe shpenzime të tjera të lidhura me aktivitetet e lobimit.

Kontrata është firmosur nga Carlos Trujillo në emër të Continental Strategy dhe nga Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Qëllimi i lobimit: Rivendosja e demokracisë dhe përforcimi i aleancës me SHBA

Në dokumentin e regjistruar zyrtarisht në SHBA, qëllimi i angazhimit përshkruhet qartë: ndihmë për të “promovuar demokracinë, nismat antikorrupsion dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, duke mbështetur kështu një “koalicion qeveritar transparent dhe demokratik për popullin shqiptar” .

Continental Strategy angazhohet të përdorë përvojën e saj në “angazhimin me aktorët kryesorë të ekzekutivit dhe legjislativit amerikan”, duke ndihmuar Partinë Demokratike të forcojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

Financimi nga diaspora: Asnjë barrë financiare për PD

Në komunikatën për shtyp, Partia Demokratike thekson se fondet e kontratës nuk janë marrë nga buxheti i saj, por janë mbledhur ekskluzivisht nga patriotë shqiptarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe nga demokratë të larguar nga Shqipëria gjatë dekadës së fundit, të zhgënjyer nga situata politike në vend.

“Kjo iniciativë përbën një shembull të bashkëpunimit midis diasporës dhe opozitës shqiptare për të rikthyer vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit në Shqipëri”, theksohet në njoftimin e PD-së.

Kush është Carlos Trujillo?

Carlos Trujillo, i cili kryeson Continental Strategy, ka shërbyer si Ambasador i SHBA-së në OKB gjatë administratës së Presidentit Donald Trump dhe është njohur për qëndrimet e tij të forta antikomuniste dhe përkrahjen për nismat konservatore në politikën e jashtme amerikane. Ai është gjithashtu një nga mbështetësit më të spikatur të forcimit të marrëdhënieve me aleatët tradicionalë të SHBA-së në Europë Lindore dhe Ballkan.

Ndikimi në fushatën elektorale

Kjo marrëveshje e re vjen në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025 në Shqipëri. Lobimi në SHBA pritet të përdoret nga PD për të rritur legjitimitetin ndërkombëtar të kauzës së saj dhe për të rritur presionin diplomatik mbi qeverinë Rama, veçanërisht në raport me çështjet e demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore.

Kjo lëvizje tregon gjithashtu ambicien e opozitës shqiptare për të rikuperuar mbështetjen ndërkombëtare në një kohë kur marrëdhëniet e qeverisë aktuale me disa segmente të administratës amerikane janë komplikuar nga raportet e ndryshme mbi korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Partia Demokratike ka lidhur një kontratë edhe me Cris LaCivita, njeriun kyc të fushatës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili po drejton fushatën e PD. Kontrata e lidhur mes tyre nuk është bërë ende publike. /Zoom.al

Postime të lidhura