Aplikacion
Tenderi 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano vishet me dyshime të forta dhe duket se do të shoqërohet me përplasje të forta mes gjigandëve botëror të ndërtimit dhe autoriteteve shqiptare.
Një konsorcium kompanish i përbërë nga belgia Jan De Nul dhe gjigandi francez Vinci kanë ankimuar në Komisionin e Prokurorimit Publik vlerësimin e fazës së parakualifikimit dhe skualifikimin e tyre nga gara për tenderin e majmë.
Faza e parakualifikimit për tenderit 393 milionë euro u përmbyll dy javë më parë. Komisioni i tenderit kualifikoi për në fazën e fundit vetëm dy oferta; atë të hollandezes Van Oord dhe grekes Archirodon, por edhe kjo me seli qendrore në Hollandë.
Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano ka një veçori unike. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kryesohet nga një kompani private.
Disa muaj më parë, qeveria autorizoi Autoritetin Portual që të kontraktonte kompaninë hollandeze Royal Haskoning me negocim të drejtëpërdrejtë si konsulente për tenderin e portit. Kontrata mes Autoritetit Portual dhe Royal Haskoning është sekrete. Por Kapitali ka zbuluar se vlera e saj është 12 milionë euro.
Përveç shumës së majme që qeveria u paguan hollandezëve, atyre u është lënë edhe kryesimi i komisionit të vlerësimit të ofertave të tenderit. Praktikisht, përzgjedhja e fituesit.
Komisioni i kryesuar nga hollandezja Royal Haskoning kualifikoi për në fazën finale vetëm dy oferta hollandeze, Van Oord dhe Archirodon.
Porti i Durrësit me fonde buxhetore
Nevoja për një port të ri tregtar erdhi pas një marrëveshjeje për shndërrimin e portit aktual në një projekt marine dhe rezidenciale me kompaninë e investitorit nga Emiratet Mohamed Alabbar. Projekti në fjalë Durrës Yacht Marina ka nisur zbatimin tashmë prej disa kohësh duke zhvilluar paraprakisht shitjet në formë ankandi për ndërtime ende të panisura. Zhvendosja e aktivitetit të portit të Durrësit në një tjetër terren bëri që qeveria të vendoste për zhvillimin e tij në Porto Romano.
Mes dy alternativave për zhvillimin e Portit të ri është zgjedhur modeli C2. Ky model parashikon një port që zhvillohet në breg dhe jo variantin C1 që parashikon zhvillimin në det
Në fund të vitit 2022 gjatë prezantimit të projektit u nënvizua se projekti ka një kosto të konsiderueshme ndaj do të kërkojë angazhimin e fondeve buxhetore, fondeve të Autoritetit Portual, grante por edhe sektorin privat duke lënë kështu të hapur mundësinë e PPP. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.
Në prezantimin e projektit nga përfaqësuesi i kompanisë Royal Haskoning DHV në
atë kohë u nënvizua se ky investim është i konsiderueshëm dhe normalisht duhet të
jetë qeveria që të mbajë një pjesë të mirë të peshës së tij.
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin