zoom

Lajme

Miku i Edi Ramës, partner i ngushtë i Vladimir Putin, reshtohet kundër SHBA

Miku i Edi Ramës, partner i ngushtë i Vladimir Putin, reshtohet kundër SHBA

Në një zhvillim që ka tronditur kancelaritë perëndimore, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed, u prit me nderime në Moskë nga presidenti rus Vladimir Putin, ku të dy liderët zotuan të dyfishojnë tregtinë mes vendeve të tyre në pesë vitet e ardhshme. Kjo lëvizje është komentuar nga mediat perëndimore si një sfidë direkte ndaj kufijve të vendosur nga SHBA dhe aleatët e saj që prej pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Për Shqipërinë, kjo vizitë ngre pyetje serioze mbi afërsinë personale dhe politike të Kryeministrit Edi Rama me presidentin e Emirateve. Vetëm pak ditë më parë Rama organizoi në Tiranë një pritje madhështore për Sheikh Mohammed bin Zayed, duke e dekoruar me titullin më të lartë shtetëror, “Ylli i Mirënjohjes Publike”.

Në fjalën e tij, Rama e quajti presidentin e Emirateve “mik të shtrenjtë dhe partner të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se “Emiratet janë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit, vizionit dhe qëndrueshmërisë në botën moderne”.

Tani, ky “partner i jashtëzakonshëm” i Ramës reshtohet si aleati më i afërt i Vladimir Putinit, “armikut” të Edi Ramës, në një përpjekje të hapur për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të zhbërë rrethimin ekonomik të Kremlinit. 

Sipas rrjetit CNBC, bizneset ruse në Emirate janë rritur në mënyrë eksponenciale që prej vitit 2022, kur shumë oligarkë dhe qytetarë rusë u larguan për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe rekrutimin e detyruar në Rusi. Emiratet nuk u janë bashkuar sanksioneve perëndimore dhe janë shndërruar në një strehë të re për kapitalin dhe asetet ruse.

Ndërsa liderë të tjerë të NATO-s dhe BE-së janë shprehur me shqetësim për afrimin Emirate-Rusi, qeveria shqiptare deri më tani ka zgjedhur të heshtë. Nuk ka asnjë deklaratë nga Ministria e Jashtme apo Kryeministria, edhe pse aleati i ngushtë i Ramës tani shfaqet krah për krah me një nga njerëzit më të sanksionuar në botë, që sipas liderëve të shumtë perëndimorë është gati t’i shpallë luftë NATO-s brenda kësaj dekade. 

Shqipëria ka qenë një nga vendet që ka dënuar zyrtarisht pushtimin rus të Ukrainës dhe ka mbështetur fuqimisht rezolutat kundër Moskës në Kombet e Bashkuara, edhe si bashkëpenëmbajtëse me SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB. Në këtë kontekst pritet me mjaft interes nëse qëndrimi i Ramës do të jetë në linjë me perëndimin përsa u përket kritikave të sheikut bin Zayed. 

Kjo jo vetëm për shkak se Rama e ka dekoruar liderin që po sfidon perëndimin duke përkrahur Putin, por edhe për faktin se sheiku duket se qëndron pas projektit 2.2 miliardë euro të Alabbar në portin e Durrësit. 

Ky mund të jetë një moment ku interesat dhe miqësitë personale mund të ndikojnë në politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila në këtë rast nuk mund të qëndrojë më e dyzuar. Edi Rama ose duhet ta dënojë veprimin e mikut të tij të ngushtë ose duhet të dalë nga reshti i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s. 

Nëse vizita e sheikut në Moskë është një test për kufijtë e SHBA-së, lidhja e ngushtë mes tij dhe Edi Ramës është një test për kufijtë e integritetit shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet me SHBA. /Zoom.al

Postime të lidhura