Aplikacion
Gennaro Gattuso nuk është më trajner i Kombëtares së Italisë. Federata Italiane e Futbollit bëri të ditur zyrtarisht këtë të premte se bashkëpunimi mes palëve është ndërprerë me marrëveshje.
Vendimi erdhi pas humbjes së rëndë të Italisë përballë Bosnje-Hercegovinës, një rezultat që i kushtoi “të kaltërve” eliminimin nga faza play-off e Botërorit 2026. Menjëherë pas kësaj disfate nisën dyshimet për të ardhmen e teknikut 48-vjeçar, të cilat tashmë janë konkretizuar me largimin e tij.
Situata në futbollin italian është trazuar edhe më tej nga zhvillimet në drejtimin e federatës, ku presidenti Gabriele Gravina dhe ish-legjenda Gianluigi Buffon kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre, duke krijuar një moment të vështirë për organizimin e ekipit kombëtar.
Me largimin e Gattusos, tashmë nis gara për emrin që do të marrë drejtimin e Italisë. Mes kandidatëve kryesorë përmenden Roberto Mancini, Massimiliano Allegri, Simone Inzaghi dhe Antonio Conte. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas Asamblesë Zgjedhore të federatës në fund të qershorit. Deri atëherë, një zgjidhje e përkohshme mund të jetë emërimi i Silvio Baldini, aktualisht në krye të ekipit U21.
Në deklaratën e tij të largimit, Gattuso u shpreh i zhgënjyer për mosrealizimin e objektivit madhor, por theksoi se drejtimi i përfaqësueses ka qenë një privilegj i madh për të. Ai falënderoi drejtuesit e federatës, stafin dhe lojtarët për bashkëpunimin, duke rezervuar një falënderim të veçantë për tifozët italianë që e mbështetën ekipin në çdo moment./ Zoom.al