Aplikacion
Gjashtë bashki të vendit do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme më 9 nëntor.
Data e zgjedhjeve u dekretua sot nga Bajram Begaj.
Zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen për bashkinë e Tiranës, të Vlorës, të Beratit, të Matit, Tepelenës dhe Cërrikut.
Kryebashkiaktë e Beratit, Matit dhe Tepelenës (Ervin Demo, Agron Malaj dhe Tërmet Peçi) u dorëhoqën nga posti për t’u bërë deputetë në zgjedhjet parlamentare të majit.
Bashkia e Cërrikut mbeti pa kryetar sepse Andis Salla u emërua ministër për Bujqësinë.
Në Vlorë do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse Ermal Dredha dha dorëheqjen pak javë më parë.
Ndërsa situata në Tiranë është pak më ndryshe. Që prej shkurtit, bashkia më e madhe në vend është pa kryetar sepse Erion Veliaj ndodhet në qeli. Gjatë këtyre muajve, në këtë post u komandua Anuela Ristani, por vetëm së fundmi, kryeministri Edi Rama kërkoi shkarkimin e Veliajt dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.
Por, pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, Erion Veliaj vendosi të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe pse kjo gjykatë nuk është shprehur ende, sërish Begaj vendosi të injorojë Kushtetutën dhe të çojë në zgjedhje edhe Tiranën.
Sipas Kushtetuës, procesi zgjedhor për këtë bashki duhet të ishte pezulluar deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e Veliajt.
Por Begaj pretendon se nuk është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese për ankimimin.
“Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.
Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.
Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.
Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.
Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.
Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit”, shpjegon Begaj në dekret./ Zoom.al
