zoom

Kosova

Zgjedhjet në Kosovë, Kurti voton dhe nxit qytetarët për pjesëmarrje masive

Zgjedhjet në Kosovë, Kurti voton dhe nxit qytetarët për pjesëmarrje masive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës këtë të diel në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas votimit, Kurti u shpreh se këto zgjedhje duhet të prodhojnë një rezultat të qartë politik, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë e qytetarëve është thelbësore për garantimin e zgjedhjeve cilësore dhe institucioneve me legjitimitet të plotë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor, duke theksuar se vota e lirë është mënyra kryesore për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit dhe drejtimin e ardhshëm të qeverisjes. Kurti shtoi se shpreson që legjislatura e re të konstituohet pa vonesa dhe që formimi i Qeverisë së re të ndodhë sa më shpejt.

Kreu i ekzekutivit në detyrë falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës elektorale, duke vlerësuar durimin dhe interesin e treguar përgjatë gjithë procesit.

I pyetur lidhur me mundësinë e krijimit të një koalicioni pas zgjedhjeve, Kurti deklaroi se oferta për bashkëpunim ishte bërë më herët, por ishte refuzuar, çka sipas tij çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Për këtë arsye, ai theksoi se vendi ka nevojë për një rezultat të prerë, që të shmangen bllokimet politike.

“Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re. I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti./ Zoom.al

Postime të lidhura