Aplikacion
Gjatë një mbledhjeje me drejtuesit e degëve të partisë, Sali Berisha ka theksuar nevojën që opozita të forcojë praninë e saj në rrjetet sociale, duke e konsideruar këtë si një mjet kyç në përballjen politike me qeverinë.
Duke marrë si shembull zhvillimet në Hungari dhe sfidimin e pushtetit të Viktor Orbán, Berisha u shpreh se opozita atje arriti të ndikojë ndjeshëm përmes dominimit të hapësirës online. Sipas tij, një strategji e ngjashme duhet ndjekur edhe nga demokratët në Shqipëri.
Në këtë kuadër, ai dha një rekomandim konkret për përdorimin e teknologjisë, duke u kërkuar anëtarëve të shkarkojnë aplikacione të inteligjencës artificiale si ChatGPT, Gemini dhe Claude.
Sipas Berishës, këto mjete mund të ndihmojnë në kundërshtimin e deklaratave të qeverisë dhe në përhapjen e mesazheve politike.
“Opozita aty, opozita kishte dominuar në rrjetet sociale… T’i kundërvihemi. Ne mjete të sigurta kemi rrjetet tona sociale, aty nuk na pengon dot njeri. Shkarkoni të gjithë AI, t’i keni në celular. ChatGPT, Claude dhe Gemini. Kanë një saktësi që rritet gjithnjë e më shumë. Sigurisht që ndonjëherë kanë halucinacione, por ndihma e tyre është e jashtëzakonshme. Ato aplikacione duhet t’i keni në mënyrë që të kundërshtoni ato trillime që ai bën. PD ka nevojë urgjente për këto ndërhyrje në mënyrë që të njohë një dimension të ri dhe të sigurtë në betejën tonë”, tha Berisha./ Zoom.al