Aplikacion
Kompjuterët e sekuestruar në zyrat e Armand Shakajt kanë nxjerrë në pah të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke forcuar dyshimet e hetuesve se vrasja e shokut të tij, Eglant Koçi, mund të jetë kryer për motive financiare të lidhura me këtë aktivitet.
Pajisjet elektronike janë zbërthyer në Laboratorin Kriminalistik, ku janë gjetur prova që pritet të kenë peshë të rëndësishme në ecurinë e mëtejshme të çështjes. Në bazë të këtyre gjetjeve, grupi hetimor pritet të vlerësojë edhe mundësinë e ndryshimit të akuzës nga “vrasje me dashje”, që po hetohet aktualisht, në një vepër tjetër penale më të rëndë.
Sipas hetimeve paraprake, Armand Shakaj akuzohet se ka vrarë shokun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas ka fshehur trupin duke e hedhur në një humnerë në rrethinat e Elbasanit. Trupi i pajetë i 25-vjeçarit u gjet pas rreth dy javësh, në gjendje dekompozimi, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se viktima është qëlluar me armë zjarri në kokë.
Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në arrati, ndërsa raportohet se po zhvillohen negociata me familjarët e tij për të mundësuar vetëdorëzimin e tij në autoritetet ligjzbatuese.