Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë në dritë pas vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në zonën e Paskuqanit.
Një nga miqtë e të riut ka rrëfyer se Ardian Baloshi jetonte vetëm me nënën e tij dhe nuk kishte as vëllezër e motra, ndërsa humbja e tij ka lënë pas një dhimbje të madhe në familje.
“Jetonte vetëm me nënën. Nuk kishte as motër, as vëlla dhe as babanë. Ishte njeri i vetëm në familje”, është shprehur ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës në Paskuqan. Sipas informacioneve paraprake, Baloshi po lëvizte në këmbë së bashku me disa shokë të tij, kur u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.
Autor i krimit dyshohet se është 39-vjeçari Sadik Llani, i cili dyshohet se ka hapur zjarr në drejtim të të riut dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
27-vjeçari mori plagë të rënda nga të shtënat dhe u transportua menjëherë drejt spitalit nga shokët që ndodheshin me të. Megjithatë, për shkak të plagëve të marra, ai nuk arriti t’i mbijetonte sulmit.
Sipas dëshmisë së mikut të tij, një nga plumbat e ka goditur viktimën në kokë, plagë që rezultoi fatale.
Ndërkohë, policia ka nisur një operacion për kapjen e autorit. Duke qenë se ai konsiderohet i armatosur dhe potencialisht i rrezikshëm, në kërkime janë përfshirë edhe forcat speciale RENEA.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije për Zoom.al se autori dhe viktima banonin në të njëjtën zonë dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Madje, sipas banorëve dhe miqve, ata janë parë shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit. Të njohurit e tyre janë shprehur të habitur, duke deklaruar se nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të mëparshëm mes dy personave./ Zoom.al