Aplikacion
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e Sadik Llanit, i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Paskuqan.
Sipas policisë, i dyshuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka dyshime se mund të jetë i armatosur. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të shmangin çdo përpjekje për ta ndaluar apo përballur vetë atë në rast se e konstatojnë.
Për kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët po zhvillojnë kontrolle intensive në terren.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit ta raportojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112 ose në numrin e posaçëm të vënë në dispozicion nga policia.
Në kuadër të operacionit për arrestimin e tij, Policia e Tiranës ka njoftuar gjithashtu një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion të saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e Sadik Llanit.
Sadik Llani, raporton Zoom.al, nuk është një emër i panjohur për organet e rendit. Ai rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2015, në moshën 28-vjeçare, ai u arrestua nga policia së bashku me tre anëtarë të familjes së tij gjatë një operacioni kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë aksionit, uniformat blu sekuestruan një sasi heroine të ndarë në doza, e cila dyshohej se ishte gati për t’u tregtuar.
Po ashtu, sipas të dhënave të mëparshme, Llani rezulton i dënuar edhe për veprën penale të vjedhjes./ Zoom.al