Aplikacion
39-vjeçari Sadik Llani, i dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi, vijon të jetë ende në arrati, ndërsa forcat speciale RENEA po punojnë për kapjen e tij.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur të gjurmojnë itinerarin e lëvizjes së të dyshuarit drejt zonës së Liqenit të Bovillës.
Mbrëmjen e djeshme, forcat RENEA ushtruan kontrolle në rreth 15 objekte, por pa mundur të lokalizojnë 39-vjeçarin. Operacionet e kërkimit janë shtrirë edhe në zonat malore të Krujës, ku dyshohet se ai mund të jetë fshehur.
Policia ka gjetur të braktisur pranë Liqenit të Bovillës makinën e autorit të dyshuar, por gjatë kontrollit të mjetit nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, grupi hetimor ka marrë në pyetje tetë persona, të cilët deri më tani nuk kanë dhënë informacione që mund të ndihmojnë në lokalizimin e të kërkuarit.
Kontrollet dhe operacionet për kapjen e Sadik Llanit pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.