zoom

Lajme

VIDEO/ Rama distancohet nga “Albanian Files”, libri që propozon të bëhet mbret: Kam shkruar vetëm parathënien!

VIDEO/ Rama distancohet nga “Albanian Files”, libri që propozon të bëhet mbret: Kam shkruar vetëm parathënien!

Kryeministri Edi Rama është përpjekur të distancohet nga libri “The Albanian Files”, i cili ka rikthyer në vëmendje projektet e disa prej arkitektëve më të njohur botërorë në Shqipëri, të shoqëruara me debat mbi transparencën dhe mungesën e konsultimit publik.

Në podcastin e së dielës “Flasim”, Rama u shpreh se nuk ka lidhje me përmbajtjen e librit, përveç parathënies që, sipas tij, i është kërkuar të shkruajë. “Unë s’kam lidhje, kam shkruar vetëm parathënien”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se materiali në libër është produkt i punës së arkitektëve dhe një redaksie të posaçme.

Megjithatë, kjo deklaratë është vënë në pikëpyetje nga kritikë dhe zëra publikë, të cilët kujtojnë se vetë Rama e ka promovuar më herët librin në një intervistë ndërkombëtare në CNN, ku e ka paraqitur si një vizion të “Shqipërisë së re”, duke thënë “This is the new Albania”.

Skeptikët argumentojnë gjithashtu se arkitektët e përfshirë në projekte të mëdha në vend janë ftuar dhe angazhuar në kuadër të nismave të drejtuara nga qeveria, duke e bërë të vështirë ndarjen e plotë të përgjegjësive mes autorëve të librit dhe institucioneve shtetërore.

Pedagogu i gazetarisë Ervin Goci ka reaguar ashpër ndaj këtij qëndrimi, duke e lidhur zhvillimin urban dhe projektet e mëdha me vendimmarrje të centralizuara dhe mungesë transparence, si dhe duke ngritur akuza për favorizime në proceset e ndërtimit dhe lejeve.

Në debat është përfshirë edhe gazetari Basir Çollaku, i cili ka ngritur një sërë pyetjesh mbi mënyrën se si përzgjidhen arkitektët, si lidhen ata me investitorët dhe kush merr vendimet përfundimtare për projektet dhe lejet e ndërtimit.

Ndërkohë, çështja e “The Albanian Files” vijon të ngjallë diskutime, duke ndarë opinionin publik mes atyre që e shohin si promovim të zhvillimit urban dhe kritikëve që kërkojnë më shumë transparencë mbi mënyrën e realizimit të këtyre projekteve.

Postime të lidhura