Aplikacion
Kandidati i sapozgjedhur për postin e Avokatit të Popullit me votat e PS-së, Endri Shabani ka reaguar pas votimit në Kuvend, duke e cilësuar procesin “surprizues” dhe “emocionues”.
Shabani u shpreh se mbeti i befasuar nga deputetët e opozitës, të cilët fillimisht e mbështetën me firma për të depozituar kandidaturën, por në momentin e votimit vendosën të mos e mbështesin. Megjithatë, ai i falënderoi 35 deputetët opozitarë që firmosën për t’i mundësuar kandidimin, duke i siguruar se do ta ushtrojë detyrën me integritet dhe pa i zhgënjyer.
Në reagimin e tij, Shabani vlerësoi gjithashtu votën e mazhorancës, e cila e mbështeti unanimisht në seancën plenare me votë të fshehtë, pavarësisht se asnjë prej deputetëve socialistë nuk kishte firmosur paraprakisht për kandidaturën e tij. Ai e cilësoi votën e tyre “akt pjekurie politike” për t’i dhënë fund ngërçit të zgjatur institucional dhe për të përmbushur një prej detyrimeve të procesit të negociatave me BE-në.
“Duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi funksionimit të shtetit si skuadër,” u shpreh Shabani, duke theksuar se ata kapërcyen faktin se ai ka qenë më herët kritik si aktivist në radhët e opozitës.
Ai përfundoi mesazhin me mirënjohje për të dyja palët dhe premtoi se do të kryejë detyrën e Avokatit të Popullit me përkushtim maksimal për të fituar respektin e të gjithëve./Zoom.al