zoom

Lajme

PD tërheq firmat për Avokatin e Popullit

PD tërheq firmat për Avokatin e Popullit

Partia Demokratike ka vendosur të tërheqë firmat dhe mbështetjen e deputetëve të saj për 7 kandidaturat e paraqitura për postin e Avokatit të Popullit.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e grupit parlamentar, duke krijuar një kthesë të papritur në proces.

Ende nuk dihet se si do të formalizohet tërheqja, pasi dosjet e kandidatëve dhe firmat përkatëse janë dorëzuar zyrtarisht dhe brenda afatit ligjor.

Në garë kishin kaluar shtatë kandidatë: Aranita Brahaj, Jola Hysaj, Besim Ndregjoni, Adriana Kalaja, Tartar Bazaj, Skënder Haluci dhe Endri Shabani, ndërsa 16 aplikantë të tjerë u skualifikuan në fazën e mbledhjes së firmave.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk kishte firmosur për asnjë prej kandidatëve, duke deklaruar se kartonët e saj do t’i përdorë në seancën plenare të 11 dhjetorit, kur parashikohet të zgjidhet Avokati i ri i Popullit.

Burime brenda mazhorancës theksojnë për Klan News se PS nuk ka ndërmend të pranojë formulën që propozon opozita: zgjedhjen e 3 emrave nga PS dhe më pas përzgjedhjen e një kandidati të vetëm nga PD për t’iu paraqitur Kuvendit.

Në këto kushte, procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit mbetet i hapur, me të dyja palët që duket se po shkojnë në seancën e 11 dhjetorit pa një dakordësi politike.

Postime të lidhura