zoom

Lajme

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit, reagon Berisha

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit, reagon Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra pas zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i ri i Popullit.

Në deklaratën e tij për mediat, Berisha tha se me këtë vendim është goditur rëndë një proces që, sipas tij, funksiononte prej vitesh mbi bazën e konsensusit politik.

Ai theksoi se përzgjedhja e Avokatit të Popullit ka qenë tradicionalisht një nga procedurat ku palët politike arrinin marrëveshje, duke përmendur se mandati i ish-Avokates Erinda Ballanca ishte aprovuar me dakordësi. Sipas Berishës, votimi i ditës së djeshme “zhduku” këtë traditë.

“Një proces i instaluar prej shumë vitesh, u përmbys dje, duke rrëmbyer dhe institucionin e fundit që kishte ngelur gjysmë, pasi zonja Ballanca ka pasur konsensus. Refuzoi në mënyrë kategorie zotin Besim Ndregjoni, Adriana Kalanë. I futi një thikë të madhe një procesi të tillë. Edi Rama është i gatshëm që të shkelmojë çdo gjë”, tha Berisha.

Demokratët që kishin mbështetur me firma 6 kandidatë, mes tyre edhe Endri Shabanin, u tërhoqën nga nënshkrimet. Që në nisje të seancës parlamentare dje, ata kërkuan heqjen nga rendi i ditës të zgjedhjes së Avokatit të të Popullit, por kërkesa u rrëzua./ Zoom.al

Postime të lidhura