zoom

Të gjitha

“U dëshmua skenari për gjakderdhje”- Kurti: Serbët e Kosovës të çlirohen nga tutela e Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, i ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të Kosovës me Serbinë.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë janë vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

Sipas kryeministrit, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.

Kurti e ka nisur mbledhjen e Qeverisë me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.

“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështirë e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”.

Ai ka thënë se nga provat për pjesëmarrjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiç, në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.

“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutela e Serbisë”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Radoiçiçin se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se ky fshat do të vazhdojë të jetë i bllokuar deri në orët e pasdites, kur autoritetet pritet të marrin një vendim.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.

“Manastirit i janë shkaktuar jo pak dëme”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit e ka pasur edhe një dimension të rrezikshëm, “përdorimin e një aseti të trashëgimisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale”.

“Manastiri Ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore dhe i mbrojtur me ligjet e Republikës së Kosovës, është përdorur si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre”.

Ai ka thënë se manastirit i janë shkaktuar jo pak dëme nga grupi i armatosur.

“Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka dëshmuar disa herë që ka vullnet për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

“Qeveria e Kosovës e ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës”, ka thënë mes tjerash ai. /REL