Aplikacion
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në një konferencë për mediat të shtunën për të dhënë detaje mbi aksionin e Delta Force për arrestimin e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij.
Trump, i shoqëruar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se operacioni që çoi në arrestimin e Maduros, ishte aksioni më i fortë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ishte aksioni më i fortë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte një sulm ndaj një fortese ushtarake në zemër të Karakasit. Operacioni u ekzekutua në mënyrë perfekte, pa asnjë gabim gjatë ekzekutimit. Askush nuk mund ta bëjë atë që bëri Amerika mbrëmë”, tha Trump.
Presidenti Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës pas kapjes së Nicolás Maduro-s. Ai theksoi se administrata amerikane do të menaxhojë vendin “deri në momentin kur të mund të sigurohet një tranzicion i sigurt, i drejtë dhe i matur”.
Trump shtoi se qëllimi i SHBA-ve është të shmangë përsëritjen e së njëjtës situatë, ku një tjetër figurë politike do të merrte pushtetin dhe vendi do të përfundonte sërish në krizë.
Më tej, presidenti amerikan deklaroi se Maduro ishte udhëheqësi i kartelit më të madh të drogës, dhe kjo ishte arsyeja që Amerika ndërhyri.
Ai falënderoi të gjitha forcat ushtarake që morën pjesë në këtë operacion, duke e cilësuar atë si të suksesshëm.
Gjithashtu, Trump u bëri thirrje qytetarëve të Venezuelës që jetojnë në SHBA, duke thënë se tashmë janë të lirë të kthehen dhe të jetojnë në vendin e tyre.
Zoom.al/