zoom

Aktualitet

Tjetër skandal ushqimor/ Rrush dhe pjeshkë me pesticide në markete për shqiptarët

Tjetër skandal ushqimor/ Rrush dhe pjeshkë me pesticide në markete për shqiptarët

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar mbetje pesticidesh mbi normën e lejuar në dy produkte të importuara nga Greqia, pjeshkë dhe rrush të kuq francez, duke i klasifikuar si rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Gjatë kontrolleve zyrtare pjeshkat rezultuan me mbetje të pesticidit Phosmet mbi kufirin e lejuar, ndërsa rrushi i kuq francez, i importuar po nga Greqia, doli me nivel të lartë të Propamocarb.

Sipas njoftimit, rreth 800 kilogramë rrush u sekuestruan në një supermarket të rrjetit Spar në Lezhë dhe do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit. Ndërkohë, operatorëve u është kërkuar të tërheqin nga tregu produktet e shpërndara dhe të njoftojnë subjektet ku janë hedhur në shitje.

AKU bëri të ditur se rastet janë raportuar menjëherë në sistemin evropian të alarmit ushqimor (RASFF), ndërsa kontrollet në pikat e tregtimit dhe importit do të vijojnë.

Ky rast evidenton një problem të rëndësishëm në kontrollin e ushqimeve të importuara: kontrollet nuk kryhen përpara se produktet të shpërndahen në dyqane, duke rrezikuar direkt shëndetin e qytetarëve.

Në vend që autoritetet të rrisin kontrollet preventive dhe të ashpërsojnë procedurat për të parandaluar futjen e ushqimeve të pasigurta në treg, bëhet thirrje për bizneset që të heqin produktet nga tregu, mes pasigurisë nëse janë blerë apo jo nga konsumatorët./ Zoom.al

Postime të lidhura