Aplikacion
Problemet me sigurinë ushqimore shqiptare janë rikthyer në vëmendje ditët e fundit.
Një sërë ngarkesash me fruta apo perime nga Shqipëria janë bllokuar nga disa vende të Bashkimit Europian dhe rajonit, pasi janë konstatuar nivele të larta pesticidesh dhe metalesh të rënda, duke ngritur alarmin për cilësinë e produkteve të eksportuara.
Autoritetet sllovene të sigurisë ushqimore njoftuan bllokimin e një ngarkese specash të kuq nga Shqipëria. Analizat laboratorike zbuluan pesticide të rrezikshme, përfshirë acetamiprid, formetanat dhe flonicamid, me nivele shumë mbi kufijtë e lejuar. Konsumatorët sllovenë u paralajmëruan të mos i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.
Një tjetër incident ndodhi në Bosnje-Hercegovinë pak ditë më parë, ku një ngarkesë pjeshkësh shqiptare u ndalua për shkak të pranisë së chlorpyrifos, një pesticid i ndaluar në Bashkimin Europian për shkak të efekteve të tij të rrezikshme, veçanërisht te fëmijët.
Kroacia gjithashtu ka marrë masa të ashpra ndaj disa ngarkesave shqiptare përfshirë domate dhe pjeshkë.
Edhe më herët eksportet e agrumeve janë përballur me probleme serioze. Çekia, Italia dhe Lituania kanë bllokuar mandarinat shqiptare pasi analizat laboratorike zbuluan mbetje të pesticideve deri në 12 herë mbi kufirin e lejuar.
Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë një plan konkret për përmirësimin e kontrolleve, ndërsa kritikët thonë se mungesa e monitorimit serioz po dëmton rëndë reputacionin e Shqipërisë në tregjet europiane dhe po rrezikon shëndetin e qytetarëve. Zoom.al/