Aplikacion
Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në Tiranë ka vijuar kontrollet në kuadër të sigurisë ushqimore, duke marrë masa administrative ndaj një subjekti tregtar që nuk përmbushte kriteret ligjore për tregtimin e produkteve ushqimore.
Gjatë një inspektimi të kryer këtë të mërkurë, inspektorët e AKU-së konstatuan se një sasi e konsiderueshme mallrash ushqimore ishte hedhur në treg pa respektuar kërkesat e detyrueshme të etiketimit. Konkretisht, u bllokuan rreth 5 tonë djathë të llojit Gouda, si dhe 944 kilogramë fileto pule, të cilat nuk ishin të pajisura me kundëretiketë në gjuhën shqipe.
Sipas autoritetit, mungesa e informacionit në gjuhën zyrtare përbën shkelje të legjislacionit në fuqi, pasi cenon transparencën dhe të drejtën e konsumatorit për t’u informuar mbi origjinën, përbërjen dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore.
Përveç bllokimit të produkteve, subjekti tregtar është ndëshkuar edhe me gjobë administrative, për mosrespektim të rregullave që lidhen me etiketimin dhe kontrollin e zinxhirit të furnizimit. AKU thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin për të garantuar standardet e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve./ Zoom.al