zoom

Ekonomi

Tirana shtrenjtohet përsëri. Ka kostot më të larta në rajon

Tirana është rritur me 8 vende në Indeksin e Kostove të Jetesës për vitin 2023, duke treguar se ajo është shtrenjtuar akoma më shumë. Renditja e publikuar nga firma amerikane e financave “Mercer” përfshin 227 qytete në pesë kontinente dhe mat koston e jetesës të më shumë se 200 artikujve në çdo vend, duke përfshirë strehimin, transportin, ushqimin, veshjet, mallrat shtëpiake dhe argëtimin. Renditja fillon nga vendi më i shtrenjtë në vendin më pak të shtrenjtë.

Krahasuar me vendet e rajonit të cilat janë pjesë e renditjes në këtë indeks duket se Tirana është vendi me kostot më të larta të jetesës. Beogradi renditet i dyti në rajon pas Tiranës, si qytet më i lirë, i pozicionuar në vend të 175-të. Ndjek Shkupi në vend të 200-të dhe me kostot më të lira në rajon rezulton Bosnje Hercegovina. Sipas të dhënave të raportit Sarajeva është renditur në vend të 203-të për vitin 2023. Mali i Zi dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij indeksi.

Hong Kongu, Singapori dhe Zyrihu janë qytetet më të shtrenjta për punonjësit e huaj këtë vit tregojnë të dhënat e raportit, ndërkohë qytetet në Pakistan dhe Kubë rezultojnë si më të lirat. Sipas raportit nivelet e borxhit midis shumë vendeve mbeten të larta dhe inflacioni bazë nuk ka arritur ende të normalizohet. Po ashtu edhe luhatjet e kursit të këmbimit po ndikojnë drejtpërdrejt në pagat dhe kursimet e punonjësve që punojnë në vende të huaja duke rritur kështu gradualisht kostot e jetesës.