Aplikacion
Gjatë protestës së opozitës të mbajtur sot në Tiranë, Tedi Blushi, kandidat i zgjedhur në listën e mbyllur të koalicionit PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore, refuzoi të japë një përgjigje të qartë nëse do ta dorëzonte mandatin e tij për t’ia kaluar Ilir Metës.
I pyetur nga gazetarët nëse do të sakrifikonte vendin e tij në Kuvend për të bërë të mundur rikthimin e Metës në parlament, Blushi u tregua i rezervuar.
“Nuk kam asnjë koment tjetër veçse të respektojmë këtë protestë për lirinë e votës. Nuk kam punuar kundër Ilir Metës, duhet t’ia bëni këtë pyetje atyre që kanë punuar ditë e natë kundër tij. Ju e dini se kush fshihet mbrapa, në kohën e duhur do i keni këto përgjigje”, shtoi Blushi, duke shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë për mandatin.
Ilir Meta rrezikon të mbetet jashtë Parlamentit pas zgjedhjeve të 11 majit 2025. Megjithëse kandidoi në listën e hapur të koalicionit PD–Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Tiranës, rezultatet paraprake tregojnë se ai nuk ka siguruar votat e nevojshme për të fituar një mandat deputeti.
Kjo situatë është veçanërisht e rëndësishme për Metën, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për akuza të lidhura me korrupsionin dhe pastrimin e parave . Fitorja e një mandati deputeti do t’i siguronte atij imunitet parlamentar dhe mundësinë për të kërkuar lirim nga paraburgimi./ Zoom.al