Aplikacion
Pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 11 majit, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka firmosur një urdhër për analizimin e thelluar të çdo njësie dhe qendre votimi në Tiranë, aty ku ishte vetë kandidat, por nuk e fitoi dot mandatin e deputetit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Meta theksoi nevojën për të verifikuar “punën dhe rolin e gjithsecilit”, duke lënë të kuptohet se brenda partisë mund të ketë pasur elementë të cilët nuk kanë vepruar në përputhje me interesat e saj.
“Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit… për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit”, deklaroi Meta, duke shtuar se falënderon ata që i rezistuan “presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit”.
Reagimi i plotë:
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore./ Zoom.al
