zoom

Lajme

Ngeli jashtë Parlamentit/ Reagon për herë të parë nga burgu Ilir Meta

Ngeli jashtë Parlamentit/ Reagon për herë të parë nga burgu Ilir Meta

Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, nuk arriti të sigurojë një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pavarësisht pjesëmarrjes si kandidat në listën e hapur të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

I ndodhur aktualisht në burg, Meta ka reaguar për herë të parë pas rezultatit, duke shprehur mirënjohjen për rreth 8 mijë qytetarë që votuan për të në Qarkun Tiranë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta i cilëson mbështetësit e tij si “heronj” që, sipas tij, i qëndruan presionit të “narkoshtetit” dhe nuk iu nënshtruan blerjes së votës apo kërcënimeve.

Duke komentuar zërat që sugjerojnë dorëheqjen e deputetëve të Partisë së Lirisë për t’i lënë vendin në Kuvend, Meta u shpreh prerë se nuk do ta pranonte një mandat të tillë.

“Kam luftuar gjithmonë për përfaqësim përmes vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nuk do të pranoj asnjë zgjidhje pragmatike që bie ndesh me këtë parim”, theksoi ai.

Reagimi i plotë:

Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.
Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.
Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.
Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.
Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi , dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.
Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit.

Postime të lidhura