Aplikacion
Me një gjuhë fyese dhe e papranueshme u përdor sot në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili nga foltorja ofendoi qytetarët që protestuan më 24 janar para Kryeministrisë, duke i quajtur “lapanjozë”.
Deklarata e Ballës shkaktoi tensione të forta dhe debat të ashpër me kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, duke çuar edhe në ndërprerjen e seancës parlamentare.
Në replikë me ministren Koçiu, e cila mbrojti dhunën e policisë ndaj protestuesve, dhe e quajti të ligjshme, Bardhi tha se regjimi po kërkon të trembë qytetarët duke kriminalizuar policinë.
Duke e akuzuar se në atë karrige ministrja ishte emëruar nga Ergys Agasi, Bardhi tha se ministrja duhet të japë llogari si ka mundësi që policia e drejtuar nga ‘kryekrimineli’ Ilir Proda, përdoret për të rrëmbyer biznesmenë dhe jo të mitur.
Më pas në foltore doli Balla. Ai përdori gjuhë fyese ndaj qytetarëve të cilët më 24 janar ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese, dolën të protestonin kundër korrupsionit dhe narkoqeverisë Rama.
Gazment Bardhi: Ministrja e Brendshme fshihet kur i kërkohet të flasë, pastaj flet kur i vjen mesazhi se duhet të flasë dhe më pas largohet.
Është irrituese për çdo deputet të ndershëm në këtë Kuvend, por e mirëkuptueshme për regjime kriminale si Shqipëria, që të konsiderosh krim të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe të konsiderosh arritje vjedhjen e kësaj qeverie.
Sigurisht që për çdo regjim, në fund të tij, i vetmi mjet që i ka ngelur në dorë është dhuna dhe zonja mendon se do t’i trembë qytetarët duke kriminalizuar policinë.
Unë e di që ajo nuk drejton Policinë e Shtetit, por është vënë aty për postën zjarrfikëse; policia drejtohet nga një kryekriminel si Ilir Proda, e ajo duhet të japë llogari si ka mundësi që policia e drejtuar nga ky kryekriminel përdoret për të rrëmbyer biznesmenë dhe jo të mitur.
Pse u mbyll hipoteka e Vlorës? Sepse policia nuk garanton institucionet publike. Krimi i organizuar çdo ditë në hipotekën e Vlorës e detyroi drejtorin të transferojë punonjësit nga Vlora në Tiranë. E ju flisni për krime që paskan kryer protestuesit, të cilët ushtruan të drejtën kushtetuese. Pse nuk flet ajo që po mbyllet hipoteka e Vlorës? Sepse ka tre vite që drejtori nuk mbush dot as një muaj në detyrë, pasi policia është në shërbim të krimit të organizuar.
Për këtë duhet të flasë e jo për mesazhet që çon nga arratia në shtëpinë e Suel Çelës e të Troplinëve Ergys Agasi, që e ka vënë në atë karrige.
Taulant Balla: Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet. Njërin e kishit nxjerrë aty …i dukej vetja si Chuck Norris. Lapanjozë që kishin marrë urdhra për të goditur institucionet dhe këta lapanjozë duhet të përballen me drejtësinë.
Gazment Bardhi: Ti je lapanjoz.