Aplikacion
Në tregun mediatik në Shqipëri po lulëzojnë artikujt me porosi. Ata janë shndërruar së fundi në mjetin më efikas të denigrimit dhe përfitimit.
Vitet e fundit media në vendin tonë ka njohur një prej periudhave më të errta të censurës dhe të ndikimit politik. Por bashkë me të, sulmet e porositura e kanë ndotur mjedisin mediatik, aq sa etiketimi si “kazan” i denigruesit më të madh të gazetarisë në historinë e Shqipërisë, Edi Ramës, duket si vlerësim.
Përgjimet e SKY EÇ në dosjet hetimore të SPAK treguan se si persona në kërkim nga drejtësia për krime të rënda përdornin gazetarë të ndryshëm për të sulmuar kundërshtarët apo për të ndryshuar narrativën mbi aktivitetin e tyre kriminal.
Së fundi, emri më i lakuar në opinionin publik është ai i Ergys Agasit. Megjithatë, disa media as që e përmendin atë dhe as që i botojnë informacionet e reja mbi dosjen e tij hetimore. Fenomeni ka prekur edhe mediat online, ku madje disa portale ngjan sikur janë vënë në shërbim të njeriut që ish-zëvndëskryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si koordinatorin e kryeministrit Edi Rama me grupet e krimit të organizuar.
Kështu një pjesë e këtyre mediave dhe gazetarëve që punojnë aty janë shndërruar në truprojë mediatike, një një lloj reparti ushtarak në mbrojtje të njeriut më të kërkuar aktualisht nga drejtësia.
Nuk është më sekret që një numër i konsiderueshëm portalesh dhe mjerisht edhe individësh që janë vetëquajtur gazetarë, e kanë shndërruar profesionin në një agjenci shërbimesh për llogari të Ergys Agasit.
Dhe pas çdo gërme që shtypet në tastierë për të ndërtuar murin mbrojtës për Agasin apo për të sulmuar individë të tjerë sipas porosive të Agasit, qëndron një faturë të majme.
Ka media që në faqet e tyre online nuk kanë asnjë rresht për Agasin, ose i kanë informacionet të cunguara, me publikime sa për të mos u dekonspiruar lidhja me koordinatorin e krimit. Nëse kërkon në internet, rezulton se shumë nga portalet i kanë fshirë lajmet për këtë personazh.
Dhe po në këto media gjen sulme me batare ndaj “armiqve të Gysit”. Me një koordinim të habitshëm, këto media kanë marrë urdhrin për të shënjestruar për shembull Belinda Ballukun dhe figura të tjera të kabinetit qeverisës. Jo se Belinda Balluku nuk është një rast për t’u ndjekur intensivisht nga mediat, por dosja e saj duket po aq e rëndësishme sa ajo e Agasit, në mos më pak.
Qëllimi i kësaj strategjie është që të krijohet ideja se kurbanët e SPAK duhen kërkuar diku tjetër, duke shpresuar se pluhuri i ngritur mbi zyrtarët do të mbulojë gjurmët e Agasit.
LEXO EDHE: https://zoom.al/ergys-agasi-eminenca-gri-e-rames-nga-lidhjet-me-bandat-te-fitimet-ne-biznes/
Në këtë valë sulmesh janë edhe disa biznese, që si për çudi rezulton të kenë qenë në konflikt me aktivitetin kriminal të Ergys Agasit, që shtrihej nga AKSHI, te Hipoteka, Tatimet, Sektori i Ndërtimit apo Policia e Shtetit. Kur sheh një një valë të papritur “investigimesh” apo sulmesh ndaj bizneseve të caktuara në të njëjtën kohë kur çështja e ditës është Agasi dhe rrjeti i tij kriminal, pyetja është se kush po i sponsorizon ato.
Këta gazetarë janë bërë pjesë e makinerisë së mbrojtjes së koordinatorit të krimit dhe i kanë shndërruar mediat, kryesisht ato online, në laboratorë ku prodhohen lajme sipas nevojave të “punëdhënësve” të tyre.
Ky është fundi i misionit të informimit dhe fillimi i një mercenarizmi që e kthen median në një mjet gjobëvënieje dhe shantazhi.
Dhe përtej censurës, që media në Shqipëri e vuan prej dekadash, fenomeni i mercenarizimit dhe gjobëvënies është dëmi më i madh që i është bërë ndonjëherë gazetarisë në këtë vend.
LEXO EDHE: https://zoom.al/edi-rama-dhe-shteti-ne-hije-i-ergys-agasit/
Nuk ka asgjë më të shëmtuar sesa një gazetar që përdor misionin që ka marrë përsipër dhe besimin e publikut për të pastruar figurën e një individi që është në arrati nga drejtësia apo që përdoret prej tij për të goditur persona të tjerë.
Duke pranuar pagesat e Agasit për të goditur bizneset apo rivalët e tij, këta gazetarë po shesin jo vetëm integritetin e tyre, por po helmojnë të gjithë ambientin informativ dhe po përbaltin figurën e gazetarit si askush më parë.
Ergys Agasi mund të ketë sukses të përkohshëm në këtë strategji. Por historia ka treguar se e vërteta nuk është monopol në duart e asnjë gazetari dhe perdet që gazetaria e gjobëvënies përpiqet të ndërtojë me paratë e krimit grisen shpejt, duke nxjerrë zbuluar si të paguarit ashtu edhe financuesit e tyre. /Zoom.al