Aplikacion
Silvinjo po merr rezultate fantastike me Shqipërinë dhe është afër objektivit.
Trajneri brazilian do të përballet me Çekinë, në atë që konsiderohet ndeshja vendimtare për të shkuar në Euro 2024.
Në një intervistë për “Reuters”, Silvinjo ka treguar më tepër rreth mënyrës sesi po punon te Shqipëria dhe zbulimin e tij, Jasir Asanin.
Puna në kombëtare – “Duhej të jetonim në Tiranë për të zhvilluar punën tonë. Kemi udhëtuar shumë, kemi takuar lojtarët, por të gjitha të dhënat e marra nga FSHF kanë qenë shumë të çmuara”.
Zbulimi i Asanit – “Nëse nuk do të punonim nga zyrat e Federatës në Shqipëri, ndoshta nuk do ta kishim gjetur kurrë Jasir Asanin. Ka miliona shqiptarë që jetojnë kudo në botë, ne ishim duke kërkuar për një lojtar në krahun e djathtë, me këmbën e majtë dhe gjetëm Asanin. E dashuruam menjëherë këtë lojtar dhe po rezulton fantastik me ne”.
Euro 2024 – “Ne kemi tri finale përpara dhe duhet të përballemi me të njëjtin qëndrim që kishim deri më tani. Gjithçka fillon të enjten. Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm. Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese”.
Motivimi – “E gjithë ideja e projektit tonë është që të prekim shpirtin dhe zemrën e lojtarëve shqiptarë. I pëlqejmë golat e bukur, lojën e bukur, por nuk duhet të heqim kurrë dorë nga shpirti i ekipit”, tha Silvinjo. /zoom.al/