zoom

Lajme

Mori dokumentin “sekret” dhe u largua me vrap, Agron Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi

Mori dokumentin “sekret” dhe u largua me vrap, Agron Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi

Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me 60 ditë nga punimet parlamentare të deputetit dhe kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, pasi ai mori me forcë një dokument të klasifikuar si “sekret” nga një punonjëse e Kuvendit. Gjatë incidentit, këshilltarja u rrëzua në shkallë teksa përpiqej ta ndalonte dhe mbeti e dëmtuar.

Dokumenti kishte të bënte me marrëveshjen e huasë me Shtetet e Bashkuara për pajisje ushtarake dhe, sipas procedurës, deputetët duhej të firmosnin një deklaratë konfidencialiteti, ta lexonin në ambientet e përcaktuara dhe më pas ta dorëzonin.

Sipas pamjeve të publikuara, Shehaj mori dokumentin dhe u largua, ndërsa këshilltarja u përpoq ta ndalonte. Gjatë përplasjes ajo u rrëzua në shkallë, duke goditur edhe kokën.

Pas incidentit, deputetët e Partisë Socialiste kërkuan përjashtimin e Shehajt me 60 ditë nga Kuvendi, duke argumentuar se sjellja e tij rrezikoi sigurinë e stafit dhe përbënte një shkelje të rëndë të rregullave të institucionit.

“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme. Këto sjellje cenojnë rëndë dhe në mënyrë të patolerueshme sigurinë e stafit të Kuvendit gjatë ushtrimit të detyrave të tyre”, thuhej në kërkesën e paraqitur nga deputetët socialistë.

Nga ana e tij, Agron Shehaj deklaroi se e mori dokumentin për ta lexuar, por nuk komentoi incidentin me punonjësen e Kuvendit.

Postime të lidhura