zoom

Lajme

Sylvinho optimist: Shqipëria është rritur, gati për sfidën me Poloninë

Sylvinho optimist: Shqipëria është rritur, gati për sfidën me Poloninë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur për përzgjedhjet e bëra dhe pritshmëritë për ndeshjen ndaj Polonisë, duke theksuar se ka besim të plotë te futbollistët e grumbulluar dhe te progresi i skuadrës në vitet e fundit.

Tekniku brazilian u shpreh se lista është përpiluar me kujdes dhe se çdo lojtar i përzgjedhur gëzon besimin e stafit. Ai nënvizoi se përfaqësimi i Kombëtares është një privilegj dhe se grupi aktual është i balancuar, pavarësisht dëshirës për të pasur më shumë alternativa.

Sylvinho theksoi se ekipi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara gjatë tre viteve të fundit, duke përmendur paraqitjet në Europian, Nations League dhe në eliminatoret e Botërorit si dëshmi të rritjes së vazhdueshme.

Duke folur për kundërshtarin, ai vlerësoi Poloninë si një skuadër të fortë dhe të organizuar mirë, duke shtuar se edhe Shqipëria ka evoluar dhe është gati për këtë përballje të rëndësishme.

Trajneri u ndal edhe te disa emra konkretë, duke sqaruar se ftesat në Kombëtare janë rezultat i vlerësimit të formës aktuale. Ai përmendi se lojtarë si Stavro Pilo janë ndjekur prej kohësh, ndërsa për futbollistë që nuk janë në formën optimale, si Naser Aliji, preferohet të mos merret rrezik.

Në lidhje me Armando Brojën, Sylvinho u shpreh se gjendja e tij do të vlerësohet gjatë grumbullimit, pasi sulmuesi sapo është rikthyer nga dëmtimi. Ai theksoi rëndësinë e aktivizimit të lojtarëve që janë në formën më të mirë, pavarësisht nëse e nisin ndeshjen nga minuta e parë apo nga stoli.

Në fund, trajneri vuri theksin te forca kolektive e ekipit, duke kujtuar se suksesi vjen nga puna në grup dhe jo nga individualitetet. Ai nënvizoi gjithashtu se Polonia është një skuadër që mbrohet mirë dhe ka disa lojtarë të rrezikshëm në fazën sulmuese.

“Jemi të bindur për lojtarët që kemi përzgjedhur. Janë lojtarë që ne kemi besim. Për ne, është krenari të përfaqësojmë skuadrën Kombëtare. Kemi parë ndeshjet kualifikuese të Botërorit të fundit. Kemi grumbulluar 26 lojtarë, duam më shumë lojtarë, por nuk mund t’i kemi të gjithë. Sa i përket cilësive të Seferit, mendoj se kemi lojtarë që na e mbushin fazën ofensive. I falënderoj të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e Kombëtares, por jemi të bindur për ata që kemi grumbulluar.

Jemi rritur shumë, si Federatë, si ekip, si staf. Kemi bërë një rrugëtim të bukur në Europian, Nations League dhe tani kualifikueset e Botërorit. Polonia ka një ekip të mirë. Nuk janë mundur nga asnjë skuadër. Besoj se jemi rritur edhe ne, por edhe ata. Ne kemi lojtarë që kemi kënaqësi t’i shohim kur stërviten. Ndonjëherë, ne, si staf, jemi pak xhelozë për këta lojtarë të rinj. Jam shumë i lumtur që jam trajneri i kësaj Kombëtareje. Në ndeshjen ndaj Andorrës, pati një moment zhbllokimi të ndeshjes nga momenti kur u fut Bajrami në fushë dhe goli erdhi nga një lojë e bukur në skuadër. Unë kam një shprehje, ku them ne jemi një.

Pilo nuk është një lojtar 19 vjeç që nuk ka luajtur me një ekip të parë. Kemi kohë që kemi qenë pas tij. Naser Aliji, nga ana tjetër, ka një muaj që është rikthyer. Nuk mund të rrezikoj me një lojtar që nuk është në 100% e tij. E shoh si një mundësi që i jepet lojtarëve. Sa i përket Brojës, nuk e di ende, sepse ka një muaj e gjysmë që ka qenë jashtë fushave. Ka një javë që është rikthyer. Do të duhet t’i shohim në momentin kur janë në grumbullim. Është e rëndësishme që në fushë të futen ata lojtarë që mund të bëjnë mirë për ekipin. Ritheksoj edhe njëherë që edhe lojtarët që futen nga stoli mund të bëjnë po aq mirë sa ata që futen nga minuta e parë.

Unë preferoj të flas për kundërshtarin e ardhshëm. Kemi riparë ndeshjet e fundit të Polonisë, është një skuadër që mbrohet shumë mirë. Ka 3-4 lojtarë që janë të aftë për të shënuar”, tha Sylvinho./ Zoom.al

Postime të lidhura