zoom

Lajme

Gati lista e Kombëtares/ Sylvinho rikthen emra të rëndësishëm për sfidën me Poloninë

Gati lista e Kombëtares/ Sylvinho rikthen emra të rëndësishëm për sfidën me Poloninë

Kombëtarja shqiptare ka hyrë në fazën vendimtare për një vend në Botërorin 2026, ndërsa sfida e parë e play-off-it do të luhet ndaj Polonisë në transfertë.

Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, ka bërë publike listën me 26 futbollistët e grumbulluar për këtë përballje të rëndësishme. Në përzgjedhje bien në sy rikthime të rëndësishme, disa mungesa për shkak dëmtimesh, si dhe përfshirja e elementëve të rinj.

Në repartin e portës janë përzgjedhur Thomas Strakosha, Elhan Kastrati dhe portieri i Egnatias, Mario Dajsinani.

Mbrojtja kombinon eksperiencën me prurje të reja. Në listë bëjnë pjesë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Arlind Ajeti, Adrian Ismajli, Klisman Cake, Mario Mitaj dhe Naser Aliji. Ndërkohë, trajneri ka ftuar për herë të parë edhe Bujar Pllanën dhe Stavro Pilon.

Mesfusha përfshin emra si Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Nazmi Gripshi, Jasir Asani dhe Arbër Hoxha. Një rikthim i rëndësishëm është ai i Anis Mehmetit, i cili rikthehet pas një mungese të gjatë prej disa vitesh.

Në repartin ofensiv spikat gjithashtu rikthimi i Ernest Muçit, i cili bashkohet me Armando Brojën, Myrto Uzunin dhe Nedim Bajramin.

Nga ana tjetër, në këtë grumbullim mungojnë Rey Manaj dhe Mirlind Daku, të cilët nuk janë në dispozicion për shkak të problemeve fizike.

Shqipëria do të përballet me Poloninë më 26 mars në Varshavë, në një ndeshje që nis në orën 20:45. Nëse arrin të fitojë këtë përballje, ekipi kuqezi do të sigurojë kalimin në finalen e play-off-it, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi./ Zoom.al

Postime të lidhura