Aplikacion
Kryeministri Edi Rama vendosi Elisa Spiropalin në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, duke e kthyer ish-kryetaren e Kuvendit në figurën kryesore të diplomacisë shqiptare.
Në reagimin e saj të parë pas emërimit, Spiropali e përshkroi këtë detyrë si nder dhe përgjegjësi, ndërsa vendosi një objektiv ambicioz: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Spiropali zëvendëson në këtë post Igli Hasanin, një ministër jetëshkurtër i qeverisë Rama 3. Vetë Spiropali më parë ka mbajtur edhe detyrën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
“Ky nuk është thjesht një objektiv politik, por një mision historik. Prestigji dhe dinjiteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve janë përgjegjësia ime më e madhe”, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë i Elisa Spiropalit:
Drejt Shqipërisë 2030!
Nder dhe përgjegjësi për mua që pas drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, të marr besimin e Kryeministrit Rama dhe Asamblesë Socialiste për të drejtuar Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Integrimi i Shqipërisë në familjen tonë natyrale europiane brenda 2030-s nuk është thjesht objektiv politik, por misioni ynë historik.
Prestigji, forca dhe dinjiteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo janë, kanë qenë dhe do të jenë detyra e nderi i jetës sime.
Me besim të palëkundur dhe shumë sfida përpara, ecim së bashku drejt të ardhmes europiane.
Mirënjohje./ Zoom.al