Aplikacion
I shqetësuar për drejtësinë, rendin dhe ekonominë, kryeministri Edi Rama prezantoi sot qeverinë e re, me qasje të reja, por emra të vjetër.
Përveç Evis Salës, radiologe dhe profesoreshë, e cila do të shërbejë si ministre e Shëndetësisë, emrat e tjerë të rinj të kabinetit kanë qenë gjithmonë aty, nën kupolën e qeverisë.
Sofjan Jaupaj, të cilin Rama e prezantoi si një të ri vizionar që tashmë do të drejtojë ministrinë e Mjedisit, deri më tani ka shërbyer si zv.ministër në këtë institucion.
Besfort Lamallari që do të zëvendësojë Ulsi Manjën si ministër i Drejtësisë, shërbente si zv.ministër i Brendshëm.
Andis Salla është “emri i ri”, që Rama e mori nga pushteti lokal, kryetar i bashkisë Cërriku, për ta emëruar tek Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. I njëjti tranzicion ndodhi edhe me Ervin Demon, i cili nga drejtimi i Beratit shkoi në ministrinë e shtetit për pushtetin vendor.
Ricikilimi
Duke rikonfirmuar në detyrat e tyre Belinda Ballukun, Pirro Vengun dhe Petrit Malajn, Rama tregoi se emrat e tjerë të qeverisë së re, janë ato të vjetrit.
Albana Koçiu, që shërbeu deri më tani si ministre e Shëndetësisë, u emërua në krye të ministrisë së Brendshme, që ndryshon dhe emrin në Ministria e Punëve të Brendshme.
Blendi Gonxhja do të drejtojë një ministri të sapokrijuar, Kultura, Turizmi dhe Sporti, pas “suksesit” tek ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Mirela Kumbaro, një ndër emrat më të ricikluar në qeveritë e Ramës, do të drejtojë ministrinë e Arsimit, pas disa vitesh tek ministria e Turizmit.
Delina Ibrahimaj rikthehet si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, dy vite pasi kryeministri e hoqi nga kjo detyrë për ta emëruar në një ministri shteti.
Elisa Spiropali më në fund gjeti një vend në kabinet, pas përvojës si kryetare Kuvendi.
Kabineti i ri duket si një manual i zakonshëm i Edi Ramës, të shpërblejë samaritanët dhe të asgjesojë ata që devijuan nga misioni. Një ritual që nuk mbaron, një kub Rubiku, ngjyrat e së cilit nuk do të përputhen kurrë.
Dhe Rama e di shumë mirë që, siç thoshte Albert Anjshtajn, është çmenduri të bësh veprime të vjetra dhe të presësh rezultate të reja…/Zoom.al