zoom

Aktualitet

SPAK: Hakeruesit tentuan të hyjnë në adresat e e-maileve të prokurorëve, dy të arrestuar

SPAK: Hakeruesit tentuan të hyjnë në adresat e e-maileve të prokurorëve, dy të arrestuar

Një sulm ka ndodhur në adresat e e-maileve të prokurorëve të posaçëm. Në një njoftim zyrtar SPAK, ka sqaruar se Prokuroria e Posaçme ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrjeje të paligjshme.

Nga verifikimet, sipas SPAK ka rezultuar se nuk është ndërhyrë në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.

Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por pa sukses, siç njofton SPAK.

Ernold Rroka ish-punonjës i IMT-së, si edhe Zambak Gjoni, ish-drejtor i paraburgimit Vlorë janë arrestuar.

Më tej SPAK sqaron: “Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i pajisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet.

Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se  sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.

SPAK siguron se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së  institucionit.

Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.”

Postime të lidhura