Aplikacion
Detaje të reja mësohen lidhur me skandalin e hakerimit të dosjeve të SPAK-ut. I ftuar në një lidhje live në emisionin “Opinion”, gazetari Elvi Fundo ka sqaruar diçka më shumë lidhur me atë çfarë ka ndodhur.
Ai tregoi se më 12 mars mori tre materiale shumë sensitive, të cilat u janë shpërndarë disa gazetarëve. Materialet ishin pjesë e dosjeve hetimore që as personat vetë që janë nën hetim nuk janë në dijeni.
Mes dosjeve që Fundo thotë se i erdhën në mesazh ishte një për një politikan, aktualisht deputet i parlamentit dhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme, një tjetër për këqyrjen e një gruaje pranë një biznesmeni dhe vetë biznesmeni.
Fundo tha se i ka lexuar materialet dhe bëhet fjalë për dosje hetimore. “Hetim të kryer nga prokurorët e SPAK, materiale hetimore. Jo pjesë e dosjeve,”- tha Fundo.
Gazetari tregoi se më pas ka komunikuar me numrin e panjohur. Por ndërkohë sipas Fundos, SPAK ka qenë në vëzhgim dhe pas disa orësh, po në datën 12 mars është arrestuar personi që i ka dërguar materialet.
Në të njëjtën kohë, atij i ka ardhur një urdhër nga prokurori Bledar Maksuti për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimeve të akteve.
“Thotë që është ndaluar nga ana e Policisë Gjyqësore shtetasi Zambak Gjoni, i cili rezulton pronari i numrit të telefonit që më ka çuar mua mesazhin. Por rezulton të mos i ketë çuar vetëm në emrin tim. I ka çuar edhe në gazetarë të tjerë.
I ka shpërndarë në dy persona të tjerë të identifikuar, unë dhe një gazetar tjetër i opozitës. Ky person rezulton sipas kërkimeve që bëra më pas të ketë qenë ish-zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve, ish-drejtori i Burgut të Vlorës.
Ka rezultuar që është arrestuar edhe shtetasi Arnold Rrokaj që është arrestuar po në datën 13 mars, të cilët kanë pasur dijeni apo kanë disponuar dokumente apo akte, sekrete hetimore, identitete, aktivitete etj., dhe thotë më pas prokurori urdhërohet ruajtja e sekretit hetimor, aktet,”- tregoi Fundo.
Gazetari tha se dy të arrestuarit, njëri punonjës i Burgjeve dhe tjetri i IMT-së kanë lidhje me një ish-zyrtar të lartë të burgjeve.
“Në bashkëpunim me të dyshohen dhe persona të tjerë të përfshirë. Ka pasur një grup që mblidhnin informacione dhe i përdornin informacionet, sekrete hetimore, dokumente prokurorie, i kanë marrë dhe mbledhur dhe ndoshta do të donin t’i përdornin për qëllime të caktuara kriminale. Ato sipas prokurorit Bledar Maksuti janë akt kriminal veprimet që kanë kryer. Se ti nuk mund të nxjerrësh dokumente nga SPAK dhe t’ua japësh gazetarëve,”- shpjegoi ai./ Zoom.al