zoom

Aktualitet

Skandali i Inceneratorëve, shpallen në kërkim ndërkombëtar Klodian Zoto e Stela Gugallja

Policia shpalli në kërkim ndërkombëtar dy biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja, të akuzuar nga SPAK për korrupsion me inceneratorin e Elbasanit.

Zoto e Gugallja janë pronarët e kompanive që ndërtuan dhe menaxhojnë koncesionin prej 22 milionë eurosh.

Burime të policisë thanë për Zoom.al se Zoto e Gugallja rezultojnë se janë jashtë Shqipërisë dhe dyshohet se po fshihen në një vend anëtar të BE-së.

Një burim konfidencial pohoi se policia ka dijeni për qytetin në të cilin ata jetojnë.

SPAK arrestoi ish –ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, nën akuzën se ka përfituar afro 4 milionë euro nga kjo aferë.

Opozita ka akuzuar edhe Mirel Mërtirin, bashkëjetuesin e Stela Gugalles, si të përfshirë në aferën e inceneratorëve të Elbasanit, Tiranës e Fierit, si dhe kryeministrin Edi Rama, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish –ministrin Damian Gjiknuri dhe ish –sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, deputetin aktual të PS, Alqi Bllakon.

Por deri tani SPAK ka lëshuar urdhër arreste vetëm për inceneratorin e Elbasanit.

Opozita thotë se Komisioni Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, i ngritur me kërkesë të saj, po pengohet të sigurojë të dhëna nga institucionet shtetërore dhe bankat e nivelit të dytë për udhëtimet e të akuzuarve prej saj, po ashtu edhe për llogaritë e tyre bankare. /Zoom.al