zoom

Aktualitet

PS kundër zgjatjes së afatit, dështon hetimi parlamentar për inceneratorët

Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur për të hetuar procedurat e dhënies me konçension të tre impanteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë me vlerë mbi 400 milionë euro, nuk arriti dot të miratonte planin hetimor duke e çuar drejt dështimit këtë hetim.

Në mbledhjen e ditës së mërkurë u shpenzuan më shumë se 3 orë me debate për procedurë dhe akuza politike mes anëtarëve të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, por në fund palët nuk arritën të binin dakord për të votuar planin hetimor dhe listën me 20 dëshmitarë.

Anëtarët socialistë votuan kundër me argumentin se plani hetimor i propozuar nga PD-ja kishte parashikuar afate kohore jashtë afatit ligjor të përcaktuar nga Kuvendi që sipas tyre ishte data 28 janar.

Ndërkohë kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, pretendoi se puna e komisionit duhej të vijonte deri me datë 24 shkurt duke mos llogaritur si ditë punë javët e pushimeve të Vitit të Ri mes dy sesioneve parlamentare. Më herët ajo i kishte kërkuar Kuvendit edhe zyrtarisht që të zgjatej afati i komisionit.

Të dyja palët iu referuan rregullores së Kuvendit dhe ligjeve në fuqi për të mbështetur argumentet për çështjen e afateve pa arritur në një konsensus.

Tabaku akuzoi mazhorancën se po e bllokonte me qëllim hetimin për t’u bërë mburojë për zyrtarët e lartë shtetërore të kësaj partie që janë përfshirë në këtë aferë. “Na jepni kohën që të hetojmë nëse nuk doni të bëheni mburojë e Lefter Kokës që është sot në burg dhe të tjerëve që janë të veshur sot me pushtet, të përfshirë në këtë aferë ”- iu drejtua ajo kolegëve socialistë.

Po ashtu Tabaku akuzoi institucionet shtetërore dhe kompanitë konçensionare që po ndërtojnë inceneratorët se me qëllim kanë refuzuar të dërgojnë informacionet dhe dokumentet e kërkuara nga ky komision në funksion të hetimit.

Por nënkryetarja socialiste Ermonela Felaj tha se nuk mund shkelnin rregulloren dhe se nuk kishin ata tagër për të votuar për zgjatjen e afateve të hetimit pasi këtë mund ta bënte vetëm Kuvendi. “Ju e doni komisionin për tekst politik”- u tha ajo anëtarëve të opozitës duke pretenduar se kanë pasur të gjithë kohën e duhur për ta bërë hetimin. Në përgjigje të akuzave Felaj shtoi se “nuk jemi këtu për të krijuar alibi, ose për të mbrojtur dikë”. Ajo i propozoi një marrëvedhje Tabakut që të punonin çdo ditë, edhe të dielën, që ta mbyllnin punën deri më 28 janar, marrëveshje që u refuzua si anti-ligjore prej saj.

Pas mbarimit të mbledhjes Tabaku mbajti një deklaratë për mediat, ku akuzoi socialistët se e bllokuan hetimin për t’u bërë mburojë për personat e përfshirë në aferën korruptive. Ndërkohë ajo i bëri thirrje Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion që të ketë guxim e të vijojë hetimin për të çuar para drejtësisë edhe njerëz me pushtet. “Lefter Koka që është sot i arrestuar është person pa pushtet. SPAK duhet të tregojë guxim dhe vendosmëri dhe të çojë para drejtësisë edhe ata që kanë mbrojtje politike”- tha ajo.

Sipas Tabakut inceneratorët rrezikojë financat lokale të 6 bashkive dhe buxhetin e ministrisë së Financave pasi 1.3 për qind e fondit për PPP-të shkon vetëm për këto kompani.

Po ashtu anëtarët demokratë kërkuan që qeveria të ndërpresë pagesën e faturave për kompanitë e inceneratorëve ndërkohë që pronarët e tyre janë shpallur në kërkim nga drejtësia. “Që nga arrestimi i Lefter Kokës, komisioni nuk ka funksionuar, por qeveria dhe bashkitë e vendit i kanë dhënë 1.5 milion euro kontratave të inceneratorëve”- tha deputetja Ina Zhupa.

Duke iu referuar një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit të mbërritur në komision Tabaku tha se të gjithë institucionet e përfshira në vendimmarrje janë paralajmëruar nga Avokatura e Shtetit që të ndryshonin kontratën me kompanitë, por nuk e kanë bërë.

“I ka sugjeruar Ministrit Koka (por edhe qeverisë) që të ndryshojë pikën në lidhje me nenin e gjykatës së Arbitrazhit pasi ishte e palogjikshme dhe e pafavorshme, por grupi i strukturuar kriminal me në krye Ramën refuzoi që të amendonte këtë pikë të kontratës”- tha Tabaku.

Hetimi i aferës së inceneratorëve nga parlamenti është një nga dy komisionet hetimore të ngritura me kërkesë të opozitës që dështon pa arritur të nisë hetimin. Edhe komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 prillit përfundoi për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve për planin hetimor. Opozita akuzon mazhorancën që i ka bllokuar komisionet me forcën e kartonave./BIRN