zoom

Aktualitet

Cilat janë 8 kompanitë që Lefter Koka ngriti për të marrë 3.3 mln euro nga inceneratori i Elbasanit

Kanë kaluar 8 muaj që kur një skemë e detajuar që zbardhte zhvatjen e milionave eurove në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit u bë publike. U denoncuan emra ministrash, biznesmenësh e kompanish. Ishte LSI që iu “vërsul” Lefter Kokës me gjithë arsenalin e saj, pas “tradhtisë” së tij dhe luftës që ai i hapi kësaj partie. Dikur njeriu i besuar i Ilir Metës, Koka, ishte shfaqur pak kohë më parë në një video duke pirë verë të shtrenjtë me Edi Ramën, teksa ftonte edhe Nasip Naçon t’i bashkohej PS-së.

Në dokumentat e publikuara nga LSI tregohej se si ish –Ministri i Mjedisit kishte përfituar 3.3 milionë euro nga 21.6 milionë eurot e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit.

Skema për të vjedhur paratë e taksapaguesve përfshinte krijimin e 8 firmave fantazmë që kishin marrë paratë nga kompania fituese e koncesionit, “AlbTekEnergy” me pronare Stela Gugalljan dhe kompania ndërtuese “Integrated Energy Sevices” me pronar Klodian Zoton dhe i kishin transferuar tek kompani të lidhura me djalin e ish –Ministrit Lefter Koka, sipas dokumentave të bëra publike nga LSI.

Sipas denoncimit, Pivot 04, R.B General Servis, Sili, TGV&T-2014, Bellar Inert, J.P.Y, Deto, SH.SH janë kompanitë që kanë marrë para nga “AlbTekEnergy” si shpërblim për favorizimin që Lefter Koka i bëri në kontratën koncesionare.

Disa kanë fatura fiktive, të punësuar fiktivë apo vetëm 1 të punësuar.

U denoncuan me emra Arbër Driza, Ardian Bello, Regan Merdani, Shkëlqim Shtylla si përfaqësues të kompanive fantazmë, apo Stela Gugallja e Klodian Zoto, tashmë të shpallur në kërkim si pronarë të inceneratorit të Elbasanit.

Edhe sipas SPAK, kjo ishte skema e ngritur nga Koka për t’i marrë paratë e për t’i pastruar ato si të ardhura të ligjshme.

Por deri tani asnjë nga pronarët e këtyre kompanive nuk janë arrestuar. /Zoom.al