zoom

Ekonomi

Sigurimi i banesave do të jetë i detyrueshëm. Rama u merr para të varfërve, ua jep të pasurve

Sigurimi i banesave do të jetë i detyrueshëm. Rama u merr para të varfërve, ua jep të pasurve

Në vetëm 1 muaj vere, qeveria Rama u ka servirur shqiptarëve disa taksa të reja, duke paralizuar më tej fuqinë e tyre paguese dhe duke rritur koston e jetesës.

Nga prezantimi i taksës së tokës bujqësore, ndryshimet në taksën e pronës  e deri tek sigurimi i detyrueshëm i banesës, ishte kjo e fundit që nxiti më shumë debat.

Dhe për shumë pak kohë polica e ‘sigurimit të pronës nga zjarret dhe shkaqe të tjera natyrore’ nuk do të jetë më vullnetare, por e detyrueshme.

Fillimisht, ideja iu dha qeverisë shqiptare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që argumentoi se tërmeti i vitit 2019 ishte fatal dhe rëndoi fort buxhetin e shtetit. Kështu zgjidhja do të ishte që çdo pronar banese t’u dalë vetë për zot dëmeve dhe humbjeve që mund të pësojë.

Por sigurimi i banesave nuk është i detyrueshëm as në vende me rrezik të lartë sizmik, si p.sh Japonia apo edhe në vendet e Europës, nga ku Shqipëria frymëzohet. Gjithsesi është kriter për përfitimin e një kredie hipotekore, në avantazh të bankave huadhënëse.

Në projektligjin e dalë për konsultim nga qeveria mungon një studim i mirëfilltë për rrezikun e infrastrukturës shqiptare nga tërmetet. Enti i Banesave nuk ofron as shifra se sa banesa janë të regjistruara në vend (presim Censin e Insat).

Pyetja që as qeveria nuk i jep përgjigje është ajo e rrezikut real të Shqipërisë. Tërmetet me pasoja fatale në vendin tonë kanë një diferencë kohore 30-40 vite dhe nga to preken vetëm 1% e popullsisë.

Kështu, një sigurim i detyrueshëm, në rast katastrofe, do të përftojë 1% e popullsisë. Taksapaguesit do të paguajnë miliona euro dhe fituesit do të jenë kompanitë e sigurimeve.

Në një tjetër supozim, në rast se Shqipëria do të ishte vend me rrezik të lartë sizmik, kompanitë siguruese në vend nuk kompensojnë asnjë dëm brenda dy viteve të para të blerjes së policës.

Në dokument shkruhet se “Shqipëria është një vend i prirur dhe ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore. Katër rreziqet kryesore që prekin vendin janë tërmetet, përmbytjet, zjarret në pyje dhe rrëshqitjet e dheut.

Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në  kapacitetet përballuese,  e rendit Shqipërinë të parën në Europë dhe  në vend të 61, në rang botëror”.

Por qeveria nuk ka dashur të marrë parasysh një renditje tjetër të Shqipërisë, aty ku ajo është e para; në listën e vendeve me të ardhurat më të ulëta. Edhe për vitin 2023, Shqipëria, pa përfshirë Kosovën është shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë, me pak fjalë, vendi me qytetarët më të varfër në Europë.

Por më shumë se sa do të rëndojë qytetarët, të cilët pritet të paguajnë deri në 20 euro në vit, kjo “taksë” do të favorizojë siguruesit, treg që në Shqipëri vlen miliarda lekë.

Deri në mars 2023, arriti 7 mld lekë. Siç u tha dhe më lart, nuk ka një numër se sa banesa ka në Shqipëri, por mjafton të dimë se sigurimi do të jetë i detyrueshëm për të hamendësuar fitimet marramendëse të këtyre kompanive. Disa prej tyre kanë kohë që lobojnë tek qytetarët që të sigurojnë banesat nga fatkeqësitë, por mesa duket qëllimi mund të arrihet vetëm me lobimin në qeveri.

Nuk dihet ende nëse një kompani do të marrë autorizimin për ketë policë apo i gjithë tregu do të jetë i hapur. Tregu i sigurimeve në Shqipëri dominohet nga Sigal, në pronësi të Avni Ponarit, Albsig në pronësi të Shefqet Kastratit, Eurosig + Insig në pronësi të Kadri Morinës dhe Intersig në pronësi të Gentian Sulës.

Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve vazhdon të zgjerohet në Shqipëri, mbështetur nga politikat e qeverisë Rama për të çuar paratë e taksapaguesvëe në arkat e bizneseve private dhe duke mos iu kthyer më në asnjë formë qytetarëve. (Taksat pretendohen t’u kthehen taksapaguesve në formën e investimeve kapitale).

Vendime të tilla janë të njohur për qeverinë Rama që më vonë kanë rezultuar në skandale që kanë dëmtuar rëndë financat e shtetit dhe dinjitetin e kabinetit. Koncesionari i Check Up-it shëndetësor,  tarifimi i rrugës së Kombit, pagesat për Inceneratorët janë vetëm tre nga dhjetëra projektet e ngjashme të kësaj qeverie.

Siç thoshte i ndjeri, Silvio Berlusconi: Të majtët i duan aq shumë të varfërit sa që sigurohet të rrisin numrin e tyre!”/Zoom.al