Aplikacion
Një nga emrat më të spikatur të skenës operistike shqiptare, Luiza Çako (Papa), është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike dhe kulturore. E njohur për zërin e saj të veçantë, interpretimet me ndjeshmëri të lartë dhe prezencën skenike elegante, Çako ka qenë një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën klasike shqiptare.
Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo interpretoi në një sërë veprash nga repertori operistik shqiptar dhe ndërkombëtar, duke u bërë një zë i dashur dhe i respektuar nga publiku dhe kritika. Ajo ishte bashkëshortja e tenoristit legjendar Gaqo Çako, dhe nëna e kantautorit të njohur Piro Çako, i cili ka ndjekur rrugën e prindërve të tij në muzikë, duke ndërtuar një karrierë të suksesshme në muzikën moderne shqiptare.
Përveç kontributit artistik, Luiza Çako ishte gjithashtu një figurë ikonike e stilit dhe elegancës në vitet ’60. E njohur me emrin e vajzërisë Luiza Papa, ajo cilësohej si një nga gratë më të bukura të kohës së saj. Elegante, me një ndjeshmëri të lindur për modën dhe me një pamje që shpesh krahasohej me divat e kinemasë si Sophia Loren, Luiza ktheu në frymëzim për shumë gra të Tiranës së asaj kohe.
Stili i saj perëndimor, veshjet plot finesë dhe modeli karakteristik i flokëve – topuzi mbretëror, e bënë një figurë të paharrueshme në jetën artistike dhe shoqërore të vendit. Pas lidhjes me Gaqo Çakon, një nga tenorët më të mëdhenj shqiptarë, Luiza nisi të ishte edhe më e kujdesshme ndaj paraqitjes së saj publike, duke ruajtur gjithmonë një pamje dinjitoze dhe aristokratike.
Luiza Çako do të kujtohet jo vetëm për kontributin e saj në muzikën shqiptare, por edhe si një grua që përfaqësoi me dinjitet dhe finesë epokën e saj – një simbol i bukurisë, klasit dhe artit. /Zoom.al