Aplikacion
Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh në platformën GoFundMe për familjen shqiptare Kola, e cila humbi jetën tragjikisht pak ditë më parë në Porcari, në provincën e Luccas në Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e ngjarjes së rëndë. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve funerale dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore. Shuma e mbetur do t’u shërbejë familjarëve të viktimave për përballimin e pasojave të tragjedisë.
Ngjarja i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre, Hadjarit 22 vjeç dhe Xhesikës 15 vjeçe. Sipas autoriteteve, të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Dhjetëra donatorë kanë kontribuar në fushatë me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke reflektuar një valë të gjerë solidariteti ndaj familjes së ndjerë.
Ndërkohë, Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme. Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës. Priten rezultatet e analizave toksikologjike, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat e pajetë do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit.