zoom

Aktualitet

Tragjedia në familjen shqiptare/ ”Motra ime ka humbur ndjenjat”- Telefonata dhe dhënia e adresës së gabuar

Tragjedia në familjen shqiptare/ ”Motra ime ka humbur ndjenjat”- Telefonata dhe dhënia e adresës së gabuar

Një rrjedhje e padukshme monoksidi karboni dhe një gabim fatal në adresë çuan në tragjedinë e rëndë që goditi komunitetin e Porcarit, pranë Luccës në Itali, ku katër anëtarë të familjes shqiptare Kola humbën jetën në banesën e tyre.

Ngjarja u shënua mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 20:00, kur në qendrën e emergjencës 112 të Toskanës mbërriti një telefonatë alarmuese. 22-vjeçari Hajdar Kola kërkoi ndihmë, duke njoftuar se motra e tij kishte humbur ndjenjat dhe se familjarët nuk e dinin çfarë po ndodhte. Gjatë bisedës, situata u përkeqësua në mënyrë dramatike: fillimisht prindërit humbën ndjenjat, e më pas edhe vetë i riu u rrëzua. Para se linja të ndërpritej, ai dha adresën e banesës, por për shkak të helmimit nga gazi, ngatërroi dy shifrat e fundit të numrit të shtëpisë.

Ambulanca mbërriti menjëherë në zonë, por për rreth dy orë ekipet e emergjencës nuk arritën të lokalizonin banesën e saktë. U kontrolluan disa shtëpi përreth, u kërkuan sqarime shtesë nga qendra operative dhe u tentua lokalizimi i telefonatës, pa sukses. Vetëm pas përfshirjes së karabinierëve dhe verifikimit të të dhënave të celularit, u identifikua familja dhe adresa e saktë.

Rreth orës 21:45, forcat e rendit hynë në apartament së bashku me një familjar dhe fqinjë. Pamja që gjetën ishte tronditëse. Në katin e parë, tavolina ishte shtruar për darkë, ndërsa në katin e dytë, në dhomën e 15-vjeçares Xhesika, u gjetën trupat e pajetë të saj dhe të prindërve, Arti dhe Jonida Kola, 48 dhe 43 vjeç. Pak më vonë u konfirmua se edhe Hajdar Kola kishte humbur jetën.

Pas hyrjes në banesë, disa prej personave që ndihmuan filluan të ndiheshin keq për shkak të helmimit nga monoksidi i karbonit dhe u dërguan në spital. Në gjendje më të rëndë u paraqit xhaxhai i familjes, Durim Kola, i cili kaloi natën nën kujdesin e mjekëve. Edhe gjyshja e fëmijëve pësoi probleme të rënda shëndetësore sapo u njoh me lajmin tragjik.

Familja Kola jetonte prej rreth pesë vitesh në Itali. Pas një periudhe pune në Greqi, kryefamiljari ishte vendosur në Toskanë, ku punonte si bojaxhi, ndërsa i biri ishte elektroteknik. Vajza 15-vjeçare ishte nxënëse e shkollës së mesme të ulët. Vetëm pesë muaj më parë, familja ishte zhvendosur në banesën e re në rrugën Galgani, e blerë së fundmi, ku ende po kryheshin punime rikonstruksioni.

Prokuroria e Luccës ka sekuestruar apartamentin dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të rrjedhjes së gazit. Ekspertët po verifikojnë nëse defekti lidhet me montimin e kaldajës, mirëmbajtjen apo sistemin e shkarkimit, si dhe nëse instalimi është kryer nga teknikë të specializuar apo nga vetë familja.

Postime të lidhura