Aplikacion
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Lucca të Italisë, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën si pasojë e një rrjedhjeje gazi në banesën e tyre.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, 4 shkurt, në rrethana ende të paqarta. Dyshimet paraprake tregojnë se rrjedhja e gazit mund të jetë shkaktuar nga një defekt në kaldajën e shtëpisë.
Viktimat janë kryefamiljari 48 vjeç, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç. Një familjar tjetër, vëllai i 48-vjeçarit, ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, dy karabinierë që mbërritën të parët në vendngjarje për të ofruar ndihmë, pësuan një intoksikim të lehtë nga monoksidi i karbonit, por ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Autoritetet bëjnë me dije se tragjedia ka ndodhur rreth orës së darkës. Gjatë ndërhyrjes, ekipet e shpëtimit gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të konsumuar vaktin.
Alarmin e dha vëllai i kryefamiljarit, i cili pasi nuk mori përgjigje nga banesa trekatëshe, njoftoi karabinierët. Forcat e rendit u detyruan të thyejnë derën dhe brenda gjetën katër trupat e pajetë. Pak më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të gazit, por u shpëtua në kohë dhe u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj tragjedie.