zoom

Aktualitet

Tragjedia e familjes shqiptare në Itali, zbardhet telefonata e fundit për ndihmë

Tragjedia e familjes shqiptare në Itali, zbardhet telefonata e fundit për ndihmë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike që i mori jetën katër anëtarëve të familjes Kola në Itali.

Viktimat janë Arti Kola, 44 vjeç, me profesion bojaxhi, bashkëshortja e tij Jonida, 48 vjeçe, djali Hajdar, 22 vjeç, elektricist, dhe vajza 15-vjeçare, Xhesika. Ata humbën jetën në banesën e tyre në zonën e Rughi, ndërsa dyshohet se shkaku ka qenë helmimi nga monoksidi i karbonit.

Sipas raportimeve të mediave italiane, mbrëmjen e ngjarjes djali i familjes kishte kontaktuar shërbimet e emergjencës, duke kërkuar ndihmë pasi motra e tij nuk ndjehej mirë. Telefonata, që zgjati disa minuta, u ndërpre pasi i riu humbi ndjenjat. Gjatë komunikimit ai kishte dhënë gabim numrin e adresës, çka besohet se ka ndikuar në vonesën e lokalizimit të saktë të banesës nga ekipet e ndihmës.

Ambulanca arriti në zonë pak minuta më vonë, por pati vështirësi në gjetjen e shtëpisë dhe kërkoi ndihmën e fqinjëve dhe forcave të rendit. Kur u tentua hyrja në banesë, edhe persona të tjerë që u afruan u ndjenë keq për shkak të mungesës së oksigjenit, ndërsa më pas ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur sigurimin e ambientit. Mjekët konfirmuan humbjen e jetës së katër familjarëve.

Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat, duke u përqendruar te sistemi i ngrohjes së banesës dhe instalimi i kaldajës së re. Do të verifikohet nëse pajisjet ishin montuar dhe kontrolluar sipas rregullave teknike dhe kush mban përgjegjësi për instalimin.

Familja Kola jetonte prej pak muajsh në këtë banesë të re, ndërsa në komunitetin e Porcarit ata njiheshin si njerëz punëtorë dhe të respektuar./ Zoom.al

Postime të lidhura