Aplikacion
Katër anëtarët e familjes Kola, që humbën jetën në një ngjarje të rëndë në Itali, janë nisur drejt atdheut, ku do të përcillen për në banesën e fundit në vendlindjen e tyre, në Gryksh të Madh të Peqinit.
Bëhet fjalë për kryefamiljarin Arti Kola, bashkëshorten e tij Jonida dhe dy fëmijët e çiftit, 22 dhe 15 vjeç, të cilët u gjetën pa shenja jete më 4 shkurt në banesën e tyre në zonën e Porcarit.
Dyshohet se shkaku i humbjes së jetës ka qenë asfiksia nga monoksidi i karbonit, që mendohet të jetë çliruar nga sistemi i ngrohjes me gaz i instaluar së fundmi.
Autoritetet italiane kryen analizat përkatëse toksikologjike, ndërsa pas përfundimit të procedurave ligjore u bë i mundur riatdhesimi i trupave. Për të përballuar shpenzimet e transportit, familjarët hapën një fushatë ndihme online, e cila siguroi mbështetje të gjerë financiare brenda një kohe të shkurtër.
Shtëpia ku ndodhi ngjarja ishte blerë disa vite më parë nga Arti Kola, i cili punonte si piktor. Djali i familjes ushtronte profesionin e elektricistit, ndërsa vajza ishte ende në moshë shkollore./ Zoom.al